Rendi në ditën e zgjedhjeve

07/05/2011 15:50

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku raportoi para mediave kalimin në shërbim të përforcuar të policisë si dhe të gjithë planin e masave për ruajtjen dhe sigurimin e rendit gjatë ditës së votimit dhe gjatë proçesit të numërimit të votave nga 6327 policë të trajnuar.

Zoti Rrumbullaku deklaroi se policia e shtetit ka garantuar mbarëvajtjen e 1263 aktiviteteve elektorale në të cilat janë angazhuar 9810 forca policie.

“Janë evidentuar 63 incidente të lidhura direkt apo indirekt me proçesin zgjedhore, janë zbardhur 44, ndërkohë që po vazhdon puna për zbardhjen e 16 të tjerave”, tha Rrumbullaku.

I pyetur nga gazetarët për të ashtuquajturat zona të nxehta gjatë proçesit të votimit, zoti Rrumbullaku tha se për këto zona do ketë masa specifike.

“Absolutisht që për bashkinë e Kamzës dhe njësinë numër 6 janë aplikuar edhe masa të veçanta në lidhje me garantimin e së drejtës për të votuar në normalitet dhe në një mjedis të sigurtë”, u shpreh Rrumbullaku.

Për ruajtjen e objekteve zgjedhore janë angazhuar forca policie të strukturave të kufirit dhe migracionit, të policisë rrugore, të repartit të sigurisë së brendshme dhe ceremonialit dhe të qendrës së formimit policor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA