PS, shqetësim për kartat false

07/05/2011 15:35

Partia Socialiste ka zbuluar një rrjet prodhimi kartash identiteti false përmes të cilave synohet manipulimi i zgjedhjeve të 8 majit.

Deputetë të selisë rozë kanë siguruar një sasi kartash, ndërkohë që kanë informacion për mijëra dokumente të tilla me të cilat po pajisen njerëz që do të kërkojnë të deformojnë proçesin elektoral.

Kartat kanë elemente të ndryshëm përmes të cilëve mund të dallohet kush është origjinale dhe kush falso.

“Ne kemi pesë karta në dorë. Është e njëjta firmë. Po ta kapim kartën origjinale dhe ta rrotullojmë në pozicione të ndryshme merr disa ngjyra. Tek karta origjinale kemi edhe shqiponjën që shkuan ‘Albania’. Tek karta falso është thuajse mat e plastifikuar dhe ngjyra nuk ndryshon”, deklaroi Paulin Stërkaj.

Sipas tyre, edhe në pjesën e pasme dy kartat kanë ndryshime mes tyre të cilat mund të dallohen.

“Tek karta origjinale nga e majta janë katër gishta, nga e djathta tre. Po të nxjerrim kartën jo origjinale nuk ka këtë formë”, tha Stërkaj.

Ashtu si në materialin me të cilin janë prodhuar.

“Karta orgjinale është e hollë, elastike, paloset dhe nuk kthehet. Karta falso paloset dhe nuk drejtohet më”, theksoi Stërkaj.

Deputeti Tom Doshi zbulon edhe fakte të tjera.

“Personat nuk e dinë se i disponojnë këto karta. Ata janë në Itali dhe kështu është bërë për të gjitha këto karta falso. Janë marrë masa që të regjistrohen edhe në Rinas që gjoja kanë hyrë në Shqipëri dhe kanë dalë pas dy ditësh. Këta kanë bërë në mendje t’i vjedhin sërish zgjedhjet. I vodhën në 2009-n dhe duan t’i vjedhin sërish”, deklaroi Tom Doshi.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se komisionerët e kësaj force politike i janë nënshtruar një trajnimi special për të dalluar dhe ndaluar çdo kartë falso me të cilën do të tentohet të votohet.

E përveç kësaj socialistët nënvizojnë faktin se kjo shkelje penale dënohet me deri në 5 vjet burg, një dënim të cilit, sipas PS, nuk do t’i shpëtojë asnjë individ i cili do të tentojë të manipulojë proçesin e 8 majit.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme i kërkoi Partisë Socialiste dorëzimin e të gjitha provave dhe fakteve që zotërojnë në Policinë e Shtetit dhe në prokurori.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja tha se ky është një detyrim ligjor që ka Partia Socialiste. Ministria e Brendshme vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe rithekson se mjetet e identifikimit shqiptare janë të standarteve më të larta europiane.

“Ministria e Brendshme vlerëson reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për të marrë faktet e pretenduara nga deputetët e Partisë Socialiste si procesi me korrekt ligjor për sqarimin e cdo pretendimi. Deputetët Sterkaj dhe Doshi kane detyrimin ligjor të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe prokurorinë për hetimin e rasteve të pretenduara duke dorëzuar të gjithë provat dhe informacionet që ata disponojnë. Dokumentat shqiptare të identitetit janë të standarteve më të larta europiane”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA