Kukës-Morin, bllokohet ndërtimi i shtatë urave

07/05/2011 08:45

Që nga muaji nëntor i vitit të kaluar puna për ndërtimin e urave në
segmentin e autostradës Kukës-Morin është ndërprerë dhe ende nuk ka të
dhëna se kur mund të rifillojë.

Disa punëtorë që ruajnë mjetet e punës dhe lëndën e parë në një kantier thanë se prej disa muajsh nuk është punuar dhe se janë në pritje të rikthimit të kompanive. “Ne ruajmë këto materiale prej shumë muajsh, por asnjë prej pronarëve nuk është dukur këtej, ndoshta kanë mosmarrëveshje mes tyre ne nuk dimë asgjë”, tha një 45-vjeçar nga Gjegjani i Kukësit me profesion hekurkthyes, por që në të vërtetë është kthyer në roje.

Për ndërtimin e 7 urave, sqaron “Shqip”, dubluese të autostradës dy vjet më parë janë shpallur fituese dy kompani ndërtimi, përkatësisht një shqiptare dhe një tjetër sllovene. Sipas kontratës e cila kap shifrën e më shumë se 10 milionë dollarëve, punimet duhej të mbaronin në dhjetor të vitit të shkuar (2010). Me stadin aktual ku ndodhet projekti, është më bërë pak më shumë se gjysma e punës.

Rruga në fjalë i ka nisur punimet në verën e vitit 2006, por për shkak të problemeve me shpronësimet dhe ndryshimet e shpeshta të projektit, ecuria e punimeve nuk ka qenë sipas planit. Projekti është financuar nga qeveria shqiptare, ku për herë të parë u përfshinë kompanitë vendase në projekte të mëdha rrugore.

Top Channel