Fondacioni mediatik Dritan Hoxha mbërrin në Prishtinë. Drejtuesit e fondacionit i cili këtë vit nis me një konkurs për shkrimin më të mirë në gazetarinë e shkruar, u takuan me studentët e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Vjollca Dako, drejtoreshë e fondacionit “Dritan Hoxha”, gazetarja Monika Stafa dhe kryeredaktori i gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, inkurajuan studentet kosovarë që të bëhen pjesë e këtij konkursi mbarëkombëtar.

“Qëllimi i punës sonë është vazhdimësia dhe promovimi i brezave të rinj në gazetari, në televizion dhe komunikim duke ruajtuar frymën tonë të punës, është menduar që në punën tonë të përditshme kemi bazë mbrojtjen e vlerave kombëtare”, është shprehur Dako.

Afati i fundit për dorëzimin e materialeve është 15 maji. Studentët e gazetarisë pa përjashtim nëse janë në studimet bachelor apo master mund të bëhen pjesë e garës. Konkursi pranon shkrime të pabotuara nga të gjitha zhanret, përfshi këtu analiza, komente, hulumtime, reportazhe etj.

“Duam të promovojmë një brez të ri gazetarësh, ju inkurajojmë dhe ju nxisim që të shkruani në këtë kohë për shtypin e shkruar, temat janë të hapura dhe konkursi është i lirë”, theksoi Stafa.

Kryeredaktori i gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, kujtoi për studentët kosovarë se çfarë përfaqëson emri “Dritan Hoxha” në historinë e medias shqiptare.

“Është tërësisht e vërtetë se atë që se ka arritur politika për dekada të tëra është arritur në gazetarinë vizuale nga televizioni Top Channel, ka disa vjet që Top Channel shikohet më shumë se çdo televizion tjetër”, tha Çipa.

“Një gjë duket e sigurt, studentët kosovarë do të bëhen pjesë e garës”, shtoi Bajram Kosumi, profesor në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës.

Top Channel