Ekspozita, piktura për bamirësi

07/05/2011 17:35

Art pamor në shërbim të kënaqësisë së syve, por edhe të bamirësisë. Është rasti i ekspozitës me piktura të çelur në Tiranë, nga artistja franceze Beatrice de Saint Jean.

1/3 e të ardhurave që do të përfitohen nga shitja e kuadrove do të shkojnë për Caritas-in, që në Fushë-Krujë u ofron asistencë një qendre me 35 fëmijë dhe të rinj me probleme mendore.

Duke iu rikthyer artit, pikturat paraqesin kryesisht femrat e Parisit në shekullin e XX.

“Kam punuar mbi tematikën e grave të vitit 1920, periudha e pasluftës. Ishte një rrymë ajri për këto gra që kanë mundur të shprehin mendimin e tyre në nivel artistik, politik, e social. Kam kërkuar që nëpërmjet pikturës sime të mos përshkruaj, por të përcjell sensacionet e mia për të treguar femrën franceze. Kam përdorur vajin, shumë dritë, shumë ngjyra dhe shumë elegancë, sepse bëhet fjalë për Parisin”, është shprehur De Saint Jean.

Kjo është ekspozita më e fundit e artistes pas një sërë të tjerave të çelura në Francë. Një tematikë e preferuar e saj ka qenë ajo me subjekte fetare. Vitet e fundit po i dedikohet fushës së artit abstrakt.

Top Channel