Presidenti i Republikës Bamir Topi ftoi qytetarët shqiptarë, që të
marrin masivisht në zgjedhjet lokale të 8 majin dhe të japin verdiktin
për drejtuesit e tyre lokalë.
“Ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje, të jeni aty për t’i dhënë jetë e forcë demokracisë funksionale. Kështu ndihmoni që me zgjedhjen tuaj të lirë të shkurtojmë rrugën evropiane të Shqipërisë. Kjo është sfida jonë, është interesi ynë i përbashkët”, thuhet në mesazhin e presidentit për zgjedhjet vendore të 8 majit.
Kreu i vendit theksoi se votuesit duhet të shkojnë nëpër qendrat elektorale dhe me anë të votës së fshehtë, të bëjnë zgjedhjen e lirë dhe jashtë cdo ndikimi pengues për kandidatët dhe partitë politike që ju besoni më shumë.
“8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore. 8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes evropiane”, thuhet në mesazh.
Duke shprehur shqetësim për retorikën e ashpër elektorale, mangësitë në programe apo incidentet e dhunës, Topi vuri në dukje se vetëm votuesit kanë në dorë forcën morale dhe ligjore për ta shndërruar 8 majin, në një ditë suksesi për demokracinë.
“Shqipëria meriton një qeverisje lokale efektive, proces zgjedhor të standardeve demokratike, demokraci funksionale dhe politika afatgjata zhvillimi dhe integrimi. Ky është rasti që të demostrohet ky vullnet politik. Kjo është sprova më e madhe për partitë politike dhe udhëheqësit e tyre politikë”, thuhet në mesazh.
Presidenti kërkon nga institucionet e rendit dhe sigurisë, prokuroria, gjykatat dhe Kolegji Zgjedhor, të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor.
Top Channel