Rama, mbyll fushatën në Tiranë

06/05/2011 20:40

Kryetari i PS-së dhe kandidati për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e 8 majit, Edi Rama gjatë fjalës së tij në mitingun përmbyllës të kësaj fushate, ka vënë theksin tek arsyet pse qytetarët duhet të votojnë kandidatët e “Aleancës për të ardhmen”.

Ai ka përmenduar tre pikat kryesore të paktit me qytetarin që përqëndrohen tek punësimi, familja dhe e ardhmja.

“Ne jemi e vetmja rruga e çdo njeriu të zakonshëm që beson te Shqipëria dhe talenti i këtij populli të mrekullueshëm, që beson tek puna, ndershmëria, bashkëjetesa qytetare pavarësisht përkatësive krahinore, fetare, partiake, gjinisë dhe moshës. Kjo është e vetmja rrugë, rruga e ‘Aleancës për të ardhmen’”, tha Rama.

“Sot ne kemi nënshkruar një pakt qytetar, për punësimin, familjen dhe ëndrrat që bëhen realitet. Ky pakt është angazhimi ynë solemn përpara të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë për t’i hapur një luftë të ashpër papunësisë që kërcënon të ardhmen e çdo shqiptari. Ne jemi angazhuar solemnisht në paktin tonë qytetar për të mbështetur të rejat e të rinjtë që të dalin nga rruga e papunësisë dhe të hynë në rrugën e punës dhe jetës së ndershme. Ne jemi angazhuar për t’i bërë lehtësira të forta fiskale çdo biznesi prodhues se ne parafytyrojmë një atdhe që ofron vende punë dhe mundësi për çdonjërin që kërkon punë të ndershme. Kurrë më presione mbi nëpunësit e shtetit. Kurrë më presione mbi ata që paguhen me kontributet e qytetarëve dhe kërcënohen me bukën e gojës”, është shprehur Rama.

“Ne jemi angazhuar që ta përkrahim dhe mbrojmë familjen shqiptare. Asnjë taksë për të gjithë katëgoritë në nevojë. 50 përqind të qerasë për çdo familje të pastrehë që nuk mund ta paguajë. Pjesë të pandarë të përkrahjes, kujdesit dhe mbrojtjes së familjes shqiptare, ne mbrojmë të ardhmen e çdo mësuesi. Kurrë më mësues që merren me forcë në mitingjet e qeverisë. Kurrë më mësues ku shteti tenton t’u diktojë dhe marrë me forcë votën. Jemi angazhuar ta bëjmë zero TVSH-në e ilaçeve sepse nuk mund të ketë të moshuar që të marrin ilaçe me listë në vitin 2011. Jemi angazhuar të kemi një vend me 100% rrugë të asfaltuara, me pastrim shembullor dhe një transport publik të standardeve evropiane siç është Tirana e sotme”, theksoi Rama.

Kreu i PS-së më pas iu është drejtuar të gjithë votuesve duke theksuar se PS-ja dhe “Aleanca për të ardhmen” janë e vetmja rrugë për të ardhmen e këtij vendi.

“Motra dhe vëllezër më lejoni që t’ju përshkruaj arsyet pse një qytetar i Tiranës pavarësisht bindjeve dhe përkatësisë duhet të votojë për mua, PS-në dhe ‘Aleancën për të ardhmen’. Çdo prind i këtij qyteti duhet të votoj për ‘Aleancën për të ardhmen’ dhe kandidatët tanë, sepse asnjë prind që vërtetë e do fëmijën e tij, ashtu siç çdo prind, nuk mund të lejojë kërcënimin e mësuesit të fëmijës së tij. Ai është qenia më e dashur dhe shtylla e një shoqërie demokratike të emancipuar që sheh nga e ardhmja”, tha Rama.

“Të papunët duhet të votojnë se sot në qeveri janë 1 milion të papunë që është një shifër që, edhe e vetme, do bënte që kryeministri të kërkonte falje dhe të ikte si i paaftë për ta bërë atë detyrë. Saliu nuk është kryeministri i Shqipërisë, por thjesht përfaqësuesi i një qeverie të kthyer në regjim që flet për ju dhe mendon vetëm për vete”, theksoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA