Rama: Bojkoti e prishja e zgjedhjeve, kurrë!

06/05/2011 23:00

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama foli për qendrimin e mbajtur në këtë fushatë nga disa parti dhe njerëz që dikur kanë qenë aleatë me të.

Për Lëvizjen Socialiste për Intefgrim, zoti Rama tha se lideri i saj nuk mund të dalë më përpara shqiptarëve. Rama ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës të votojnë kandidatët e Aleancës për të Ardhmen në mënyrë që të zhbllokohet, sic tha ai, këshilli bashkiak.

“Kjo fushatë ka aspekt interesant, Meta nuk nxjerr dot fytyrën asgjëkundi, sepse fytyra e tij u kujton shqiptarëve bllokun. LSI është një parti e bllokut të zi të kusarisë. Partia e Shpëtim Idrizit endet nëpër Tiranë dhe u thotë qytetarëve duam votën për këshillin bashkiak, unë u them që vota për kandidatin për këshillin bashkiak është po aq e rëndësishme sa edhe vota për kryetarin e bashkisë pasi na duhet ta clirojmë duke votuar Aleancën për të Ardhmen dhe Partinë Socialiste, për të patur një këshill që merr vendime”, tha Rama.

Rama tha se shqiptarët tashmë kanë një alternativë më të gjërë, gjithëpërfshirëse, ku bëjnë pjesë nga ish të përndjekurit politik, themelues të Partisë Demokratike e deri tek qytetarët e thjeshtë.

“Qytetarët këtë radhë kanë një aleancë të madhe për të ardhmen, që ka brenda simbolet e të përndjekurve, si Spartak Ngjela e Kurt Kola, themeluesit e Partisë Demokratike si Nard Ndoka, Prec Zogaj, kemi kandidatë ekselentë, nga pa teserë partie”, tha Rama.

Kryetar aktual i Bashkisë së Tiranës dhe kandidat për një tjetër mandat në këtë post, foli edhe për rivalin demokrat në këtë garë, Lulzim Basha.
“Ky hija e Saliut që është kandidat për Tiranën, mund të jetë gjithcka, holandez kur i duhet holandez, tiranas, kur i duhet tiranas, kosovar kur i duhet kosovar. Ky mund të jetë gjithcka, është thjesht Saliu i fotokopjuar. Është imazhi më i rrezikshëm i Partisë Demokratike”, u shpreh Rama.

Lideri opozitës shpjegoi edhe vendimin e Partisë Socialiste dhe opozitës për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, edhe pse për një periudhë të gjatë kërkoi garanci për standartet e tyre.

“Ne kemi qenë të qartë dhe këtë fushëbetejë ne nuk do ta lëmë kurrë bosh, do të përballemi me fuqinë tonë për të thënë të vërtetën. Standartet e zgjedhjeve janë përgjegjësi tërësishte e Saliut. Policia të bëjë kujdes se informacionet se policia ka një qasje politike, jo ligjore, kanë qënë insistuese. Kemi trajnuar komisionerët. Saliu ka frikë nga 8 Maji sepse shqiptarët kanë 1001 arsye për t’i cuar në kutinë e votimit”, tha Rama.

Rama mohoi mundësinë e bojkotit të procesit zgjedhor nisur nga deklarata e kryeministrit Berisha, dhënë në televizionin Klan për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve nga Partia Socialiste,

“Kurrë! Zgjedhjet në 8 maj nuk do t’i bojkotojmë”, tha Rama.

Kartat falso, të denoncuara një ditë më parë nga deputeti socialist, Paulin Stërkaj u pohuan edhe nga Rama. Lideri socialist tha se komisionerët janë trajnuar për identifikimin e tyre dhe akuzoi persona brenda Partisë Demokratike për këtë falsifikim.

“Jemi në dijëni për ekzistencën e këtji aktiviteti kriminal. Ky aktivetit lidhet me Partinë Demokratike, kam parasysh uzurpatorët e saj. Jemi në dijeni të plotë për dallimet që ka kjo kartë dhe u them atyre që kanë porositur këto karta të ndalojnë këtë plan, sepse nuk mund të funksionojë. Ka ndodhur në të shkuarën, ka ndodhur në 2009-n, por nuk mund të ndodhë më”, tha Rama.

Rama saktësoi se karta falso janë janë me cip të kartave celulare dhe nuk kanë reflektimet e kartës së identiteti origjinale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA