Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një intervistë në studiot e TCH, ka komentuar lajmin e rëndësishëm për të gjithë botën mbi vrasjen e Osama bin Laden.
Diplomati amerikan e ka cilësuar ngjarjen si arritjen më të madhe deri më sot në luftën kundër Al Kaedës.
TCH: Vdekja e Osama bin Laden, njeriut më të kërkuar në botë duket se do të hapë një faqe të re në mbarë globin sa i përket aspektit të sigurisë dhe i jep fund një epoke frike, të paktën 10 vjeçare. Mendoni se tashmë vërtetë bota është më e sigurt? A mendoni se vdekja e bin Laden, pra e një personi, kushdo qoftë ai, do të çojë në uljen e terrorizmit dhe akteve terroriste në botë?
Arvizu: “Vdekja e Osama bin Laden është arritja më e mëdha e bërë deri më sot në përpjekjet për të shkatërruar të gjithë rrjetin e Al Kaedës dhe mund të themi se drejtësia është vënë në vend. SHBA-të nuk janë dhe kurrë nuk do të jenë në luftë me Islamin. Bin Laden dhe Al Kaeda janë vrasës në masë për këdo sepse ka viktima të mëdha në gjithë botën”.
TCH: Pas vdekjes së Osama bin Laden, niveli i alarmit dhe sigurisë së ambasadave të Shteteve të Bashkuara në të gjithë globin është rritur? Çfarë domethënie ka dhe përse ka ndodhur kjo?
Arvizu: “Ajo që mund të them është se jemi vigjilent përsa i përket sigurisë dhe sot po përpiqemi të marrim të gjitha masat e nevojshme dhe për këtë bashkëpunimi me autoritetet në Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të jetë i shkëlqyer”.
TCH: Si do të ndikojë vdekja e Osama bin Laden në vatrat e nxehta të konfliktit, në Lindjen e Mesme dhe të Largët? Më konkretisht në Afganistan, një vend që është përfshirë nga beteja të ashpra mes forcave qeveritare, aleatëve të NATO-s dhe talebanëve nga ana tjetër?
Arvizu: “Është e rëndësishme që të kuptojmë se kemi parë shumë lëvizje të botës arabe dhe shumë prej tyre përqëndrohen rreth të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor dhe Al Kaeda në të vërtetë ka qendruar në kundërshtim me to. Do doja të theksoja se Al Kaeda është në opozitë të drejtpërdrejtë me atë që po ndodh në këtë pjesë të botës sot”.
TCH: Shtetet e Bashkuara e kanë ndjekur Osama bin Laden për më shumë se 14 vjet. Mondoni se kjo gjueti kaq e zgjatur e ka kthyer atë në një faktor më të madh se sa ka qenë në realitet?
Arvizu: “Mendoj se gjëja më e rëndësishme është ajo që ka ndodhur sot që është arritja më e madhe në përpjekjet e vazhdueshme për të çmontuar dhe shkatërruar të gjitha kërcënimet e Al Kaedës dhe kjo është një përpjekje e vazhdueshme. Kam marrë telefonata nga presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm, zoti Rama dhe kryetarja e Kuvendit dhe këto janë mesazhe të mirëpritura nga SHBA-të”.
Top Channel