Deputeti i PS, Sajmir Tahiri ka akuzuar kryeministrin Berisha për shpërthimin e regjistruar mbrëmjen e sotme pranë cadrës elektorale socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Unë nuk jam as prokuror e as gjyqtar, por ne e dimë të gjithë potencialin kriminal të Saliut, prandaj na shkon mendja aty. Ai është i njëjti që më 21 janar vrau 4 persona në mes të bulevardit”, ka deklaruar Tahiri në një debat në emisionin “Shqip”.
Ndaj tij ka replikuar gazetari Arian Cani, i cili është shprehur se nuk është në interes të kryeministrit që të zhvillojë një fushatë atentatesh.
“Nuk e kuptoj c’interes do të kishte vetë Berisha po ta vinte këtë bombë. Nuk po them që PS e ka vënë vetë, edhe pse më shkon mendja, por jam i bindur që këtë nuk e ka vënë askush”, është shprehur Cani.
Në të njëjtën linjë ka vijuar edhe analisti Henri Cili, i cili ka insinuar se prapa atentateve të tilla mund të jetë vetë opozita.
“Nuk gjej asnjë interes të PD për t’u përfshirë në këto sulme. Kjo është një strategji e PS për të perifrazuar alibinë e saj nëse humbet në zgjedhje”, ka pohuar Cili.
Top Channel