Në Kavajë, ku rikandidon për një mandat tjetër Refik Rugija, nën logon e koalicionit Aleanca për Qytetarin, takimi elektoral nuk ishte si gjithë të tjerët, edhe për shkak të lidhjes së vecantë që kryeministri Sali Berisha ka me këtë qytet, deputet i të cilit ka qenë për disa mandate me radhë.
Më shumë sesa premtimet për zhvillimin e qytetit, bastion historik të demokratëve, në Kavajë ra në sy nderimi që kryeminstri Berisha u bëri banorëve të tij të vjetër dhe të rinj, të cilët sipas tij mbajnë lart idealet e lirisë, për të cilat ata luftuan në kohërat më të zeza të regjimit komunist.
“Dhe unë si bashkëqytetar i juaji që pata fatin e madh të jem njëri prej jush ju garantoj se mbështetja juaj, morali juaj, guximi juaj, energjitë tuaja janë dhe mbeten burim i pashtershëm frymëzimi për mua sot e sa të jem gjallë”, tha kryeministri.
Zakonisht, kryeminstri Berisha shkon në Kavajë përpara se të mbyllë fushatën elektorale në Tiranë. Por këtë herë, megjithëse ka ndryshuar ditën e takimit, kryeministri nuk ndryshoi mesazhin politik për shqiptarët, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e alternativës për qytetarin për të ndërtuar së bashku Shqipërinë europiane.
“Alternativa jonë është alternativë e njerëzve të guximit dhe besimit, e njerëzve të nderit dhe moralit, e njerëzve të dinjitetit dhe shpresës, e njerëzve të besimit të madh të Zoti dhe tek njëri-tjetri, tek Kavaja dhe Shqipëria”, u shpreh Berisha.
Nga Kavaja, kur ka nisur java e fundit e fushatës elektorale, kryeministri Sali Berisha ka rritur notat e optimizmit për një mbështetje plebishitare të Partisë Demokratike dhe kandidatëve të koalicionit Aleanca për Qytetarin.
“Java që nis është java e fitores. Uragani i saj po vërshon nga të katër anët e Shqipërisë, nga Gjirokastra në Tropojë, nga Kukësi në Sarandë, nga Vlora në Tiranë. Kavaja blu, Tirana blu, Durrësi blu, Shqipëria blu. Fitore!”, deklaroi kryeministri.
Top Channel