Basha: Ja plani im fiskal

02/05/2011 18:55

Kandidati i PD për Tiranën, Lulzim Basha, në fjalën e tij në programin Iniciativa për Tiranën, ku duhet të ishte edhe kandidati i PS Edi Rama, ka premtuar se nëse zgjidhet kryetar i bashkisë së kryeqytetit do të vërë interesat e qytetarëve mbi ato politike.

Duke folur para të pranishëmve, Basha ka theksuar se nëse zgjidhet qytetar i parë nuk do të bëjë dallime mes qytetarëve që mund të kenë bindje partiake të ndryshme.

“Qyteti është si familja, nuk mund të ketë të humbur dhe të fituar. Familja ecën me konsensus. Që asnjë të mos vendosë thundrën e axhendës politike mbi axhendën qytetare, që ne mos ta ndjejmë këtë presion politik, vendimmarrja duhet të jetë në konsensus mes nesh”, ka deklaruar Basha.

Me nisjen e seancës së pyetjeve, Basha ka sqaruar fillimisht vendimin e tij për dërgimin e kasetave të gatshme tek mediat televizive.

“Filtrimi i informacionit dhe përpjekja për të deformuar realitetin po bëhet gjithnjë e më e prekshme”, ka sqaruar Basha.

Më pas, ish-ministri i tre dikastereve i është përgjigjur pyetjes së gazetarit të Top Channel mbi programin e tij për uljen e taksave.

“Cështja e taksave është e thjeshtë. Bashkia ka 85 taksa e tarifa vendore, që krijojnë probleme me biznesin, punësimin dhe konjukturën e cmimeve. Sistemi i taksave nuk është transparent. Bizneset e vogla e të mëdha përballen me taksa të shumëfishuara vit për vit. Shumfishimi i taksave jo vetëm që nuk ka sjellë përmirësimin e shërbimeve, por të kundërtën. Në tërësi, problemi ka të bëjë me mungesën e transparencës”, ka deklaruar Basha.

Kandidati demokrat ka theksuar se reforma e tij fiskale do të sjellë lehtësi për biznesin dhe ka nënvizuar se prioritet do t’u kushtohet atyre bizneseve që favorizojnë punësimin.

“Nuk them që reforma ime fiskale, që do të heqë 60 nga këto tarfia, do të jetë mjeti kyc për zgjidhjen e problemit të cmimeve, por do të ndikojë. Do vendos “premium” për ata që ofrojnë punësim, që do të përdoret për trajnimin e punëtorëve në fushën e teknologjisë, në mënyrë që Tirana të kthehet në qytetin më të mirë për investitorët”, ka saktësuar Basha.

Më tej Basha ka sqaruar edhe planet e tij për rritjen e buxhetit të bashkisë dhe investimet që do të bëjë ky institucion nëse do të drejtohet prej tij.

“Sa për buxhetin, Tirana ka nevojë për zgjidhje të mëdha dhe unë jam i vendosur të mos lejoj ndërhyrjen e politikës në problemet e saj, duke filluar me transportin, shkollat, etj. Buxheti i Tiranës do të jetë dinamik, me dyfishimin e të ardhurave përmes mirëqeverisjes fiskale. Dyfishim i të ardhurave duke ulur taksat”, ka bërë të ditur Basha, duke shtuar se modernizimi i shërbimeve që ofron bashkia e Tiranës do të jetë një tjetër objektiv i tij.

“Do përdorim sisteme moderne që sot janë të qarta. Do punojmë për mbledhjen më moderne të mbeturinave. Do t’i ndajmë ato në plastike, letre apo të djegshme. Bashkia do punojë që të marrë hua nga institucionet kredidhënëse, të investojë në veprat publike, nga të voglat e deri tek të mëdhatë, plot 200 milionë euro, duke ndërtuar një raport transparent me sektorin privat”, ka shtuar Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA