“Gjatë 21 Janarit, ndaj personave të shoqëruar apo të ndaluar është përdorur dhunë e tepruar nga forcat e policisë apo nga persona që nuk mbanin veshur uniformë. Ata janë rrahur dhe goditur me shkopinj gome, pasi janë sjellë zvarrë në furgonat e policisë. Shumë shenja të kësaj dhune ishin të dukshme dhe përkonin me pretendimet e tyre”. (UPDATE)
Këto janë disa prej fakteve të publikuara në raportin konfidencial të Komitetit të Parandalimit të Torturës në Këshillin e Europës, i cili iu është dërguar ditë më parë autoriteteve shqiptare, policisë dhe drejtorisë së burgjeve.
Për të arritur në këto fakte, tashmë të shkruara, delegacioni ka marrë në pyetje një numër të madh të ndaluarish, subjekte te keqtrajtimit fizik nga oficerët e policisë, vecanërisht në komisariatet 1, 2 dhe 4 dhe Drejtorinë e Përgjithshme.
Por jo vetëm kaq, edhe gjatë transportimit drejt apo në komisariatet e policisë, ata flasin për grushta, shuplaka, goditje me shkelma si dhe janë qëlluar me shkopa gome në pjesë të ndryshme të trupit, përfshire edhe kokën.
Në raport thuhet se kjo është përshkruar si një praktike sistematike; personat e arrestuar ishin të detyruar të kalonin përmes dy rreshta policësh, ndërsa rriheshin në mënyrë kolektive prej tyre.
Disa persona pretendojnë se ishin sulmuar fizikisht nga shefi i komisariatit 2 në Tiranë. Kësaj i shtohen edhe disa akuza nga personat e arrestuar, të qëlluar me shuplaka dhe rrahur nga oficerët e policisë, përfshirë edhe shefin e lartpërmendur të komisariatit 2, në shkallët e gjykatës.
Delegacioni i referohet një numri akuzash të personave të ndaluar, të cilët gjatë marrjes në pyetje janë detyruar nga oficerët e policisë të firmosin deklarata të përgatitura përpara se të rrëfenin për krimet që ata dyshoheshin se kishin kryer. Për ketë arsye, policët i janë drejtuar dhunës fizike apo kërcënimeve.
Për më tepër- shkruhet në dokument- thuajse të gjithë personat e intervistuar pretendojnë se, ndërsa ishin në duar të policisë, ata nuk u lejuan të takojnë një të afërm apo avokat dhe as të përfitonin nga prania e avokatit gjatë marrjes në pyetje nga forcat e policisë.
Dhuna ka vazhduar edhe nga oficerët e burgut 313, ku kanë vazhduar shkelmat, grushtat dhe shkopinjtë. Raporti e ka cilësuar si një shqetësim serioz që pasi janë pranuar në burgun 313, ata nuk i janë nënshtruar ndonjë ekzaminimi fizik nga stafi mjekësor.
Kjo cilësohet plotësisht e papranueshme nga delegacioni. Asnjëri prej tyre nuk ishte informuar për të drejtat e veta, ndërsa ishte nën kujdestarinë e policisë. Kësaj i shtohet edhe mbajtja e 12 deri në 15 personave në një qeli 10 metra katror, pa dyshek apo carcafë, gjatë dy ditëve të para të qëndrimit në burg.
Komiteti i Parandalimit të Torturës kërkon brenda tre muajsh përgjigjje për veprimet konkrete që do të ndërmerren. Raporti rekomandon ngritjen e një grupi të pavarur që të hetojë dhunën e pretenduar dhe mënyrën si janë shoqëruar, mbajtur dhe dërguar në gjykatë të arrestuarit pas ngjarjeve të 21 janarit.
Pasi shpjegon pretendimet e të ndaluarve, të intervistuar në burgje nga 30 janari deri në një shkurt, delegacioni e vë theksin edhe tek roli i prokurorisë dhe gjykatës, në rastet kur pesë persona kanë bërë ankesa formale përpara prokurorit për keqtrajtim nga policia, por asnjë prokuror nuk ka bërë ndonjë veprim për t’u dhënë përgjigjje këtyre informacioneve.
Top Channel