Instituti Demokratik i të Drejtave të Njeriut, ODIHR, ka publikuar raportin e dytë të përkohshëm për zgjedhjet e 8 Majit, ku që në paragrafin e parë të tij evidenton shkeljet e afateve kohore të procesit zgjedhor nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. (UPDATE)
Në raport vërehet se KQZ i ka votuar njëzëri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, por ka votuar me tendenca partiake çeshtjet e debatuara nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.
Raporti evidenton se janë shkelur afatet ligjore për caktimin e vendndodhjes së Qendrave të Numërimit të Votave, për përzgjedhjen e partive që kanë të drejtën të emërojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të QNV, ndërkohë që shumica e 66 KZAZ-ve nuk morën asnjë propozim për anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit.
Gjithashtu, trajnimi i anëtarëve të KZAZ-ve për procedurat e votimit dhe numërimit pritej të fillonte më 26 prill, afro dy javë me vonesë nga planifikimi fillestar. Raporti shpreh shqetësimin për vendndodhjen e disa qendrave të votimit, që është bërë dhe objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambjente private.
ODIHR ka zbuluar se në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesish, në disa raste deri në 2000 votues.
Cështja e listave, sipas ODIHR, ka mospërputhje të vogla mes numrit të përgjithshëm të votuesve në Listat Përfundimtare të Votuesve, që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve deklaruar nga Ministria e Brendshme.
“Autoritetet vendore nuk kanë ndjekur gjithmonë procedura uniforme të dorëzimit të Listave Përfundimtare të Votuesve pranë KZAZ-ve”, thuhet në raport.
Si alarmant dhe shqetësues është edhe publikimi i faktit nga ODIHR se, afërsisht 40 për qind e votuesve në LPV në rang republike, nuk e kanë kodin specifik të vendbanimit. Ata janë kryesisht emigrantët, ose qytetarët pa adresë të regjistruar.
Ky numër varion në vend, por është më i lartë në qyetin e Vlorës, 54% dhe Durrësit, 51%. Kjo çeshtje vijon që prej zgjedhjeve të kaluara.
Akuzat për presione ndaj nënpunësve të shtetit dhe nxënësve janë pjesë e raportit, ku shkruhet se OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si të besueshme tri raste presioni ndaj mësuesve për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, por deri më tani nuk ka mundur të konfirmojë pretendime të tjera.
Si PD, ashtu edhe PS, shkruhet në raport, i kanë shprehur shqetësimet e tyre OSBE/ODIHR-it lidhur me parregullësitë e mundshme, shkruhet ne raport, gjatë procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, ose pengimit të punës së KQV-ve, veçanërisht në Tiranë.
ODIHR ka marrë edhe një qëndrim të prerë kundër KQZ dhe anëtarëve të Bordit të Monitorimit të Medias.
Vendimi i fundit i KQZ-së, ku u kërkohet mediave të transmetojnë kasetat e përgatitura prej partive politike, shihet nga ODIHR si një vendim që shkon përtej Kodit Zgjedhor, duke u dhënë partive kompetencën për të specifikuar shpërndarjen e mbulimit me lajme ndërmjet aktiviteteve të partise dhe kandidatëve në mediat private.
ODIHR thotë se ky vendim u lejon partive politike të kenë ndikim në vendimet editoriale të medias private. Në mënyrë specifike në raport përmendet rasti i Top Channel, Ora News dhe News 24, që për herë të parë në zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri deklaruan në edicionet informative, se nuk do të transmetonin materiale elektorale të regjistruara e të përgatitura nga partitë politike.
PD ka pretenduar se si rezultat i kësaj, këto media nuk kanë ofruar mbulim të mjaftueshëm dhe të paanshëm të kandidatit për bashkinë e Tiranës, ndërsa mediat kanë pretenduar se nuk janë njoftuar paraprakisht për aktivitetetet e tij elektorale.
Kanalet televizive private Top Channel, News 24 dhe Vizion Plus i kanë dhënë PD-së dhe PS-së minutazh të njejtë në mbulimin e lajmeve. Kanali privat TV Klan i ka kushtuar në lajme mbulim të gjerë dhe pozitiv zyrtarëve të qeverisë dhe PD-së.
Një reklamë informative e qeverisë mbi lëvizjen pa viza e transmetuar përpara dhe gjatë periudhës zgjedhore u bë objekt i diskutimeve nga BMM-ja dhe KQZ-ja. Reklama, financuar nga MB, tregon Z. Lulzim Basha, ish-Ministër të Punëve të Brendshme dhe kandidat i PD-së për bashkinë e Tiranës, në një këndvështrim pozitiv. Më 22 prill, KQZ-ja hodhi poshtë propozimin e tre anëtarëve të pakicës të BMM-se për ta konsideruar këtë spot televiziv si reklamë politike të paguar nga PD.
Top Channel