Leku po zhvlerësohet sërish me shpejtësi ndaj euros duke vendosur
rekorde të tjera në treg. Në fundjavë një euro u këmbye me nivelin
rekord prej 142.4 lekë.
Kjo rritje ka ndodhur gjate gjithe javes. Të dhënat tregojnë se kursi mesatar mujor i këmbimit euro-lek po shfaq zhvlerësim të vazhdueshëm të lekut që nga fillimi i vitit. Krahasuar me janarin një euro është këmbyer gjatë muajit prill mesatarisht tre lekë më shumë.
Ekspertët e bankave thonë se zhvlerësimi i lekut po ndodh për shkak se në treg ka kërkesë të lartë për monedhën europiane. Përtej shkaqeve të brendshme kursi i këmbimit në tregun vendas po ndjek tendencat e tregjeve valutore ndërkombëtare. Muajt e fundit euro është forcuar ndjeshëm ndaj dollarit amerikan duke tentuar nivelet e këmbimit 1 euro me 1.49 dollar më i larti që nga dhjetori i vitit 2009.
Ekspertët e Bankës Qëndrore thonë se edhe në Shqipëri po reflektohet e njëjta tendencë. Ndërsa euro është rritur nga 138 në 142 lekë dollari ka rënë nga 105 drej kursit aktual 96 lekë. Në pamje të parë duket se ecuria e lekut ndaj dy monedhave të huaja ka qenë e ekuilibruar duke reflektuar lëvizjet në tregjet botërore.
Por për shkak të euroizimit të lartë të ekonomisë shqiptare për buxhetet e familjeve këto lëvizje nuk kanë efekte të ekuilibruara. pasi familjet penalizohen më shumë nga zhvlerësimi i lekut ndaj euros se sa fitojnë nga forcimi i monedhës kombëtare ndaj dollarit. Vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi se kursi i këmbimit po shkon drejt një ekuilibri të ri. Një ekulibër ky që për disa ekspertë mund të ketë jo pak kosto për ekonominë, pasi euro e fortë përvecse trondit buxhetet e atyre që kanë kredi në monedhën europiane, tashmë përkeqëson edhe borxhin publik të vendit.
Top Channel