Ardian Bujupi nga Kosova për disa muaj ka shkëlqyer në spektaklin më të famshëm në Gjermani ‘Gjermania Kërkon superyllin”.
Të shtunën mbrëma, në televizionin gjerman RTL, Ardiani do të ketë sfidën më të madhe.
Nga tre konkurrentët gjysmëfinalistë, talenti nga Kosova kërkon kualifikimin në finale ku do të shkojnë dy nga treshja e mbetur. Vlen të theksohet se në shumë sondazhe të bëra në Tv-të gjermane, 19-vjeçari nga Kosova ka dalë fitues.
Megjithatë, për të triumfuar, përveç votave të shtetasve gjermanë, i duhen votat e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Në një bisedë telefonike, i ati i Ardianit, Bashkimi, tha për Top Channel se një mundësi e tillë për shqiptaret vjen rrallë.
Z. Bujupi tha nëpërmjet telefonit që ndihet tejet i lumtur që një shqiptar për herë të parë arrin majat në këtë spektakël të madh.
Në emisionin e fundit, Pietro Lombardi mori 30% të votave, Ardian Bujupi 28 %, kurse Sara Angles 22 %. Marico u eliminua me 20%.
Besohet se pjesa më e madhe e votave të tij do të shkojë për Ardianin, në mënyrë që ai të bëhet fitues. Kualifikimin gjysmëfinal Ardian Bujupi e siguroi me anë të paraqitjes së shkëlqyer në rrethin e tretë me këngën “Sex Machine” të James Brown, për të cilën u vlerësua nga legjenda gjermane Dieter Bohlen.
“Na ke emocionuar aq shumë me këtë këngë. Je i paarritshëm”, theksoi Boheln.
Në një spektakël tjetër, por në Kroaci, në finale ka arritur shqiptari Mark Marku nga Prizreni. Ai ka siguruar vazhdimin e garës në finale me votat e publikut kroat në spektaklin ‘Kroacia kërkon yje’.
Kështu Marku siguroi votat e mjaftueshme të publikut për të vazhduar ëndrrën e tij, në mesin e nëntëshes më të mirë.
Top Channel