Kryeministri Sali Berisha tha se qeveria nuk do e prekë taksën e sheshtë, duke i quajtur spekullime elektorale zërat për rikthimin e taksimit progresiv.
“Nuk mund dhe nuk do të preket taksa e sheshtë. Ata që e përdorin këtë e bëjnë për cështje elektorale. Por këto nuk janë cështje elektorale, këto janë cështje të rregullimit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit nga vendosja e kartelit”, deklaroi Berisha.
Por kryeministri tha se qeveria nuk mund të pranojë tarifat e larta në disa sektorë të ekonomisë dhe për këtë ka nisur diskutimet me bizneset përkatëse.
“Tarifat stratosferike nuk do pranohen. Ka filluar një dialog që me bankat po jep shenjat e para dhe me kompanitë e telekomunikacionit”, theksoi Berisha.
Kjo deklaratë e kryeministrit vjen pasi mediat publikuan një projektligj të dalë nga zyrat e qeverisë, më saktësisht Ministrisë së Financave, i cili rrit taksat për bizneset me norma të larta fitimi.
Drafti në fjalë, që i është dërguar edhe këshillit konsultativ të biznesit për diskutim, dyfishon tatimfitimin për bizneset që i kanë fitimet mbi 20 për qind të xhiros dhe e trefishon atë për ato me rentabilitet 30 për qind.
Top Channel