Deputeti demokrat, Mark Marku e ka cilësuar si një taktikë normale vendimin e stafit elektoral të kandidatit të PD për Tiranën, Lulzim Basha, për të dorëzuar kaseta të gatshme tek mediat televizive.
“Është një teknikë e marrëdhënieve me publikun, të cilën e kanë përdorur edhe Sarkozy, Obama, etj. Një politikan që bën fushatë ka një zyrë për marrëdhëniet me publikun që ka metodat e veta për të vepruar”, ka deklaruar Marku.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Marku është shprehur se, secili ka të drejtën e vetë për të caktuar mënyrën se si të komunikojë me publikun.
“Marrëdhëniet me publikun janë një sistem dhe publiciteti është një tjetër. Kandidatët nuk bëjnë gazetari, por marrëdhënie me publikun, gazetari duhet të bëjë rezistencën”, ka nënvizuar Marku, i cili ka bërë edhe një krahasim mes Bashës, që refuzoi daljen në emisionin “Top Story” dhe Ramës.
“E para është zoti Rama që ka thënë se nuk e pranon debatin publik me zotin Basha dhe e dyta, fakti që Basha nuk vjen këtu është i barabartë me faktin që Rama nuk shkon tek televizioni Klan”, ka shtuar Marku.
Më tej deputeti demokrat ka komentuar edhe figurën e Bashës në këtë fushatë, që sipas tij po ofron një alternativë që po vë në rrezik pushtetin e Edi Ramës, që garon për mandatin e katërt në krye të bashkisë.
“Është meritë e Bashës që në një kohë shumë të shkurtër ka arritur të vërë në rrezik rivalin e tij”, ka deklaruar Marku.
Sipas tij, Basha po i ofron Tiranës atë që i ofroi edhe Rama kur kandidoi për mandatin e parë dhe për atë të dytë në krye të bashkisë.
“Tirana ka tre mandate që qeveriset nga Rama. Dy mandatet e para kanë qenë të dobishëm për Tiranën, pastaj në mandatin e tretë ai s’ka pasur asnjë lidhje me qytetin, duke e lënë atë në stanjacion. Basha po del njësoj sic doli Rama për mandatin e parë. Basha po i ofron Tiranës ndryshimin”, ka pohuar Marku.
Ai ka hedhur poshtë hipotezën se, me daljen në fushatë pa shoqërinë e kryeministrit Berisha, Basha po tenton të shkëputet nga PD.
“Shkëputja e Bashës nga Berisha dhe nga PD-ja është një iluzion. Ai po bën një fushatë mazhoritare për pushtetin lokal. Që do të thotë se, në qendër është kandidati dhe projektet e tij për qytetin”, ka shtuar Marku.
Top Channel