Të armatosur me mjete të teknologjisë së fundit, ekspertë arti e historianë zbarkuan në një manastir gjysmë të rrënuar të Firences, me misionin t`i japin më në fund përgjigje një pyetjeje që ka munduar njerëzit për më shumë se 5 shekuj: Cila ishte në të vërtetë Mona Liza?
Në Itali, shumë besojnë se modeli i Leonardo da Vinçit për pikturën legjendare të shekullit të 16 ka qenë bashkëshortja e një fisniku, Lisa Gherardini. Por, në të vërtetë nuk ekziston ndonjë provë që ta mbështesë një pretendim të tillë. Misteri, bashkë me buzëqeshjen enigmatike të gruas, i ka intriguar prej kohësh artdashësit nëpër botë.
Shkencëtarët tani do të tentojnë të gjejnë eshtrat e Gherardinit, t`i rindërtojnë fytyrën e të shohin nëse ajo është vërtet Mona Lisa. Fillimi i kërkimeve nis në manastirin Santa Orsola, një strukturë në qendër të Firences, e kthyer pothuajse në rrënojë. Mure të shembura rrethojnë oborrin e lashtë ku pak shenja kanë mbetur nga kisha që besohet se mban varrin e saj.
“Gherardini kaloi këtu vitet e fundit të jetës së saj. Ajo pati dy djem e dy vajza, dhe që të dyja vajzat u bënë murgesha. Një prej tyre u kujdes për të ëmën në vitet e fundit të jetës dhe me të gjithë gjasat është varrosur këtu”, shprehet paleontropologu Francesko Malenji.
Hetime të mëtejshme shkencore do të nevojiten sidoqoftë për të konfirmuar nëse do të gjejnë gruan e duhur.
“Shumë gra fiorentinase mund të kenë vdekur në moshën 63-vjeçare, por vetëm një prej tyre është varrosur këtu, të paktën ne këtë besojmë, por që të jemi plotësisht të sigurtë, do të na duhet të gjejmë ADN-në në eshtrat e saj e ta krahasojmë më pas me atë të fëmijëve të saj që ndodhen në manastirin Santissima Annunziata”, shtoi Malenji.
Nuk dihet ende me saktësi sa kohë do të kërkojë ky projekt përpara daljes në një përfundim, por që tani ka zëra që thonë se Gherardini duhet lënë të prehet në paqe.
Top Channel