Një tjetër pjesëmarrje dinjitoze e kinemasë shqiptare në festivalet e huaja të filmit.
Filmi “Maya” i Pluton Vasit është në nominim në kategorinë e “Filmit më të mirë ndërkombëtar” në Swansea Bay Film Festival, që zhvillohet çdo vit në Uells të Britanisë së Madhe. Filmi është në kompeticion me katër prodhime nga Italia, Kroacia, Greqia dhe Japonia.
“Pjesëmarrja në një festival është shumë e rëndësishme sepse është një mundësi më shumë për të bashkëpunuar. Aq më shumë kur filmi hyn në nominim. Është diçka e jashtëzakonshme sepse ky film është një prodhim i tëri shqiptar”, theksoi Vjollca Dedei, producente e filmit “Maya”.
Swansea Bay Film Festival zhvillohet nga 5-15 maj. Për nga numri i shfaqjeve ai cilësohet si më i madhi në Mbretërinë e Bashkuar.
Qëllimi i tij është që të sigurojë publik në të gjithë botën për filmat indipendentë dhe eksperimental.
Festivali zhvillohet në vendlindjen e dy emrave të njohur të kinemasë: Richard Burton, dashuria e jetës së Elizabeth Taylor dhe Anthony Hopkins.
Top Channel