Nga hapat e parë deri në skenat më të famshme të botës. Sajmir Pirgu rrëfehet në një intervistë në TCH për atë se si vendosi t’i jepet kantos dhe karrierën nga pallati i pionerëve deri tek performanca në “La Scala”.

TCH: Pas dy javësh intensive në Shqipëri, mes provash, shfaqjesh dhe intervistash, kështu si kjo e jona, cilat janë përshtypjet tuaja?

Sajmir Pirgu: “Jam tepër i emocionuar që mbaroi e gjithë kjo gjë. Mbaroi me sukses dhe publiku e priti mjaft mirë. Ishte një sfidë e imja. Kisha zgjedhur një sfidë mjaft të vështirë, një vepër që nuk ishte ekzekutuar asnjëherë në Shqipëri. Vështirësitë kanë qenë goxha të mëdha dhe në fillim ishte vepra që nuk njihej, regjia ishte goxha e thjeshtë. Nuk ka korr, nuk ka dekor të madh, nuk ka skena masive. E gjithë kjo gjë bëhet përballë një vështirësie vokale të paimagjinueshme. Unë e kam parashikuar këtë rol sikur të kisha realizuar gjashtë role të tjera brenda një nate. Për këtë vepër kërkohet një periudhë një mujorshe, të bëhet për 8 ditë vetëm në Shqipëri ndodhin këto gjëra”.

TCH: Kontakti juaj i parë me muzikën ka qenë nëpërmjet instrumentit, violinën. Si kaluat tek kanto?

Sajmir Pirgu: “Shtëpitë e pionerit që kanë qenë dikur funksiononin dhe ne kalamajt që kemi qenë me talent shkonim. Por kisha një problem se këndoja gjithnjë me mikrofon dhe zëri ishte i fortë. Aty më thoshin gjithnjë që ky mund të bëja edhe për kanto dhe që aty lindi ideja se mbase për kanto do kishte qenë më mirë. Por vazhdova instrumentin. Në 1985 ka qenë koncerti i ‘Tre tenorëve’ që mua më ka ndezur dritën për të ndërruar instrumentin dhe ta shikoja si ëndërr kanton”.

TCH: Pse vendosët të shkonit pikërisht në Itali?

Sajmir Pirgu: “Mendoja gjithnjë që arti operistik ka lindur atje dhe nëse do arrija ta kuptoja dhe flisja këtë art, e vetmja mundësi do të ishte vetëm Italia. Gjithnjë mendoja se Italia do ishte vendi më i duhur për të shkuar.

TCH: Njohja me Pavarottin?

Sajmir Pirgu: “Kontakti i parë ka qenë në Bolzano, krejt rastësisht. Nga ai moment ka qenë një zhvillim i miqësisë derisa arritëm të diskutonim për gjëra teknike shumë të hollësishme. Kur Luciano Pavarotti ndërroi jetë për mua ka qenë një humbje tepër e madhe. Më kujtohet që ju keni bërë një intervistë telefonike me mua dhe unë kam qenë tepër i mërzitur sepse në të njëjtën periudhë kohe ishte një klan tjetër, që thoshte se Pavarotti kishte kënduar vetëm për ‘Pavarotti & Friends” dhe nuk është e vërtetë. Ai është një kollos. Humbjen e tij, edhe sot e kësaj dite e ndjej shumë. Nëse Sajmir Pirgu është dikush sot, është falë ndikimit të tij. Disa leksione që ai mi thoshte dhe unë nuk i kuptoja, sot janë bërë realitet”.

TCH: Projektet e ardhshme?

Sajmir Pirgu: “Në datën 29-30 janë me filarmoninë e Vjenës në një turne në Athinë dhe shpresoj që gjithë shqiptarët që janë atje të na ndjekin. Pastaj jam në operë e Zyrihut, bej operën Traviata dhe në Tuluzë. Për të përfunduar këtë verë në turneun e madh të Salisburgut me maestron Rikardo Muti për të bërë Rekuiemin e Verdit”.

TCH: Si është të punosh me këta gjigandë të muzikës klasike?

Sajmir Pirgu: “Përballë nuk i kupton që janë gjigand, vetëm kur ke mbaruar. Në momentin që t’i bashkëpunon me ta janë aq të thjeshtë dhe aq bashkëpunues ndaj punës sa nuk ke kohë të shikosh se sa i madh është arti i atij njeriu. Kur mbaron, po thua, kam blerë, kam mësuar diçka. Këto janë këta mjeshtrat e mëdhenj”.

TCH: Në fakt edhe ju jeni shumë i rëndësishëm për ne! Faleminderit!

Sajmir Pirgu: “Faleminderit juve!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA