Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi ka zemëruar EULEX-in për shkak të një vale kritikash të bëra në adresë të këtij misioni.

Në një prononcim për të përditshmen “Koha Ditore”, Rexhepi është shprehur se premtimi i shefit të misionit se veriu i Kosovës do të jetë prioritet i EULEX, në realitet nuk po ndodh.

Sipas tij, situata në zonën më problematike të Kosovës nuk ka ndryshuar dhe strukturat paralele serbe vazhdojnë të jenë funksionale duke uzurpuar institucionet.

“Misioni që udhëhiqet nga gjenerali francez Xavier Bout de Marnhac nuk po instalon dot sundimin e ligjit në këtë zonë. Nuk ka hajër prej tyre, Zot na ruaj prej EULEX-it”, ka deklaruar Rexhepi.

Nga ana tjetër, krerët e misionit evropian kanë reaguar duke deklaruar se do t’i kërkojnë sqarime ministrit Rexhepi për këtë deklaratë. Numri dy i EULEX-it Andrew Sparks është shprehur i indinjuar në një konferencë për shtyp.

“A mendoni ju se situata është e tillë? A mendoni se njerëzit kanë të drejtë të mendojnë kështu? Nëse është kështu, atëherë nuk ka kuptim që ne të jemi këtu. Unë do ta takoj së shpejti zotin Rexhepi dhe do t’i kërkoj sqarime për deklaratat e tij”, ka deklaruar Sparks para gazetarëve.

Top Channel