Kryesia e Kuvendit të Kosovës i dha përgjigje negative Partisë Demokratike të Hashim Thaçit, ndaj kërkesës së saj për një debat parlamentar që ka të bëjë me krimet të cilat janë bërë në Kosovë gjatë periudhës së pasluftës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi që vjen nga kjo parti ka thënë se, kërkesa ka qenë e paqartë dhe është kërkuar të qartësohet.

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ish-anëtari SHIK-ut, ka thënë se partia e tij synon t’i diskutojë të gjitha krimet që janë bërë pas luftës dhe të mësohet se kush janë autorët.

“Kjo nuk është përgjigje ndaj kërkesës së AAK-së për të hetuar SHIK-un. Krimet kanë ndodhur, jo vetëm në Dukagjin, por në krejt Kosovën. Por, për këto çështje nuk është Kuvendi që duhet të merret me to. Me këto punë duhet të merren organet e drejtësisë”, deklaroi Grabovci.

“Dihet që shumë krime të bëra pas luftës kanë dëmtuar shumë figura të LDK-së. Vrasjet e shumta ende nuk kanë marr asnjë përgjigje”, reagoi Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

AAK javën e kaluar kërkoi komision hetimor për SHIK-un. Ndërkohë, partitë opozitare kanë shprehur skepticizëm për këtë kërkesë të PDK-së duke theksuar se, janë gjykatat ato që i zgjidhin çështjet dhe një ndërhyrje e tillë e Kuvendit nënkupton ndërhyrje në çështjet e drejtësisë.

Top Channel