Formohet komisioni që do të kërkojë të kthejë fondin e privatizimit të ndërmarrjeve publike të Kosovës.

Është Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj i cili ka marrë një vendim të tillë, kopjen e të cilit e ka siguruar Top Channel. Në këtë dokument shkruhet se një nga detyrat e komisionit është identifikimi dhe kthimi i pasurisë së Kosovës.

Fondi iprivatizimit i fituar nga shitja e ndërmarrjeve publike të Kosovës ende mbetet jashtë vendit, ndërsa shteti i ri nuk ka mundur të ketë qasje në këtë fond, i cili vetëm nga privatizimi përflitet se kap shumën e mbi 500 milionë eurove.

Njëri nga anëtarët e këtij komisioni është edhe Ramush Tahiri, i cili është caktuar drejtor për çështje rajonale. Ai thotë se Kosova pas pavarësisë e ka të drejtën për të kërkuar kthimin e fondit.

“Kthimi i fondit të privatizimit, sipas ekspertëve të ekonomisë është vlerësuar se do të ndihmonte ekonominë kosovare”, theksoi ai.

Shumë shpejt ky komision nga Kosova do të bëjë kërkesë zyrtare në adresë të ish Republikave të Jugosllavisë për t’i kërkuar pronat e ndërmarrjeve të veta shoqërore që ndodhen në territorin e tyre.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës me AKP-në ka identifikuar 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës të cilat gjenden në shtetet që janë krijuar me shpërbërjene federatës jugosllave.

Sipas informacioneve më së shumti prona të ndërmarrjeve shoqërore kosovare gjenden në Serbi, plot 104, pastaj në Mal të Zi 42, në Bosnjë e Hercegovinë 15, në Kroaci 6, në Maqedoni 4 dhe në Slloveni 1.

Top Channel