Ndeshja mes Sigal Prishtina dhe Bambit nga Mitrovica e Veriut ka përfunduar me dhunë mbrëmjen e së enjtes. (UPDATE)

Policia e Kosovës është përleshur me tifozët e skuadrës së Prishtinës “Plisat”. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dhuna shpërtheu kur pjesëtarë të policisë, disa prej tyre serbë të Mitrovicës, janë ndjerë të fyer nga tifozët prishtinas “Plisat” dhe mënyrës sesi ata po festonin fitoren me rezultat 80:73 ndaj Bambit.

“Deri në mbarim të ndeshjes nuk ka pasur asnjë problem, por kur përfundoi loja një pjesë e tifozëve u përlesh me policinë”, tregon Ali Durmishi, pjesëtar i Sigurimit të Pallatit të Rinisë.

Në këtë rast policia ka përdorur spërkatës, por edhe i ka goditur tifozët, të cilët në ato momente po largoheshin nga salla. Gjithçka duket se ka ndodhur pas sharjeve e fyerjeve të tifozëve ndaj policëve serbë të cilët kishin ardhur për tu ofruar siguri lojtarëve serbë të Bambit.

Ministria e Brendshme dhe policia nuk e konfirmojnë nëse ka pasur urdhër për ndërhyrje në një mënyrë kaq të dhunshme.

“Fillimisht do të presim raportin e policisë. Nëse dikush nuk ka qenë i përmbajtur dhe ka vepruar në mënyrë impulsive, ekzistojnë masat që do të ndërmerren ndaj tyre. Nga ana tjetër, edhe tifozeria ka kufijtë e saj dhe nuk mund të kalojë në huliganizëm dhe në dëmtim të pronës së tjetrit”, shprehet Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme.

“Ka mundësi që edhe ndonjë efektiv policor të ketë bërë një veprim jashtë komandës së tij”, thekson Naim Rexha, kryesues i Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Drejtori i klubit të basketbollit Prishtina, Artan Rugova, tha se tifozët “Plisat” nuk i tejkaluan limitet e tifozërisë: “Përderisa nuk është cënuar jeta dhe nuk është hedhur asnjë send i fortë në parket nuk mendoj se ka arsye për ndërhyrje aq të ashpër të policisë.”

Por, pas daljes jashtë palestrës sportive në Pallatin e Rinisë, “Plisat” kanë nisur hedhjen e gurëve në drejtim të policisë. “Plisat” kanë dëmtuar disa automjete policie dhe i kanë vënë zjarrin njërit prej tyre.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet në këtë drejtim sikurse po zhvillohen hetime të brendshme për policët që dyshohet se tejkaluan përgjegjësitë e tyre të enjten.

Top Channel