Deklarimeve publike të z.Behgjet Pacollit se emri i presidentes kosovare Atifete Jahjaga ka dalë nga zarfi i ambasadorit amerikan Christopher Dell më në fund mori një përgjigjeje.

Protagonist i bisedimeve i cili dhe solli marrëveshjen politike mes tre liderëve partiakë kosovarë ambasadori amerikan Christopher Dell demantoi z.Pacollin duke thënë se emri i presidentes ka dalë nga diskutimi dhe jo nga zarfi.

Këto komente ambasadori amerikan i bëri gjatë aktiviteteve me rastin e Ditës së Tokës.

“Kryetari i Prishtinës, kryeministri Thaçi dhe Behgjet Pacolli mes vete kanë diskutuar për shumë emra, por emri i Atifete Jahjagës është ai për të cilin janë pajtuar që të tre. Ky emër nuk u është imponuar atyre”, ka thënë Del.

Por i kujt ka qenë propozimi që Atifete Jahjaga të bëhej president e Republikës së Kosovës?

“Ata kanë biseduar për emrin vetë. Emri ka dalë si rezultat i diskutimeve të liderëve kosovarë”, tha Christopher Dell, ambasadori amerikan në Kosovë.

Ditë më parë edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa kishte mohuar deklarimet e z. Behgjet Pacolli.

Bazuar në deklarimin e ambasadorit amerikan, e vërteta rreth zgjedhjes se presidentes ka ardhur si rrjedhojë e kompromisit ndërmjet vet z. Pacollit, z. Mustafës dhe z. Thaçit.

Top Channel