Kjo rrugë nga ish-fabrika e metalikut të çon tek kolonia e njohur Rae në Gjakovë. Aty ku përfundon asfalti, nisin gurët dhe gropat.

Mbeturinat që kanë rrethuar skajet e rrugës së pashtruar të çojnë drejt lagjes së mbipopulluar me më shumë se 800 banorë të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptas.

Rreth 130 shtëpi të këtij komuniteti nuk plotësojnë as kushtet minimale te jetesës. Të rrethuar nga mbeturinat e tërë qytetit të Gjakovës, banorët e lagjes bëjnë luftë për to.

Të rriturit dhe të vegjlit këtu hulumtojnë për grumbullimin e plastikës, qeseve të najlonit, kanoceve dhe hekurinave.

Një kilogram të së cilës në treg shitet për vetëm 13 cent. Por, edhe kjo mënyrë e mbijetesës së fundmi iu është ndaluar.

Banorët egjiptas të kësaj lagjeje akuzojnë zyrtarët komunalë të komunës së Gjakovës, pasi sipas tyre pa të drejtë i është dhënë e drejta e menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave një kompanie private.

“Kjo kompani na ka marrë kafshatën e bukës. E vetmja gjë që ka mbetur për këta banorë janë mbeturinat”, deklaron Kapllan Hasani, përfaqësuesi i lagjes Rea.

Në këtë vend mungon shkolla, mungon mjeku dhe gjithçka tjetër. I vetmi lajm i mirë për ta është rindërtimi i një kompleksi kolektiv.

Në vitin 2012 më shume se 130 familje egjiptase do të dislokohen në një banim kolektiv. Por, ka nga këto familje që kanë mbetur edhe pa shtëpi.

Përveç mungesës së punësimit, jetesës mes mbeturinash, banorët e kësaj kolonie pranojnë se fëmijët e tyre ndërpresin edhe shkollën. Si rëndom, ata kërkojnë lëmoshë dhe punojnë punë të rënda.

Kanosja nga ndonjë rrezik epidemie nuk i shqetëson edhe aq shumë. Shqetësimi i vetëm, hë për hë, mbetet fitorja në betejën e luftës së mbeturinave.

Top Channel