Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Piter Feith garanton se pavarësisë së mbikqyror do t’i vijë fundi shumë shpejt, edhe se veriu do të jetë gjithnjë i Kosovës.

Kosova është juaja, tha Feith gjatë një ligjërate në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Faith mëngjesin e së enjtes takoi presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me të cilën nxënësve u tha se bisedoi pikërisht për situatën në pjesën veriore.

“Veriu do të mbetet me Kosovën dhe ne po punojmë shumë me qeverinë që të arrijmë deri tek qytetarët e veriut dhe jam i bindur se do të arrijmë progres, ose nëpërmjet dialogut, ose nëpërmjet mënyrave të tjera. Qeveria ka ndarë mjete të mjaftueshme për të përmirësuar kushtet social-ekonomike për qytetarët në veri. Ne duhet ta fuqizojmë sundimin e ligjit. Shpresoj se presidentja e re së shpejti do të mund ta viziotojë veriun. Ne e kemi diskutuar këtë mëngjesin e sotëm”, deklaroi Feith.

Në fakt, deklarata e tij për veriun erdhi pas pyetjeve që bënë nxënsit. Ai u përgjigj edhe në pyetjet që kishin të bënin me dialogun me Serbinë dhe ndryshimet kushtetuese.

“Pse është e nevojshme të zhvillohet dialogu, sepse realiteti është i tillë, se Beogradi nuk e ka pranuar ndarjen e Kosovës dhe deklarimin e pavarësisë nga ana e saj. Mund të na vijë keq për këtë fakt, por ky është realiteti. Me planin e Ahtisarit kemi shpresuar se Serbia do të pranojë këtë realitet. Por kjo nuk ka ndodhur. Prandaj ka nevojë që të punohet me Serbinë për cështjet që janë me interes për qytetarët, sepse nëse nuk ka dialog unë mendoj se do të dëmtojë ekonominë e Kosovës dhe Serbisë. Dhe po, ky është dialog për cështje të brendshme, por cështje të brendshme të një të kaluare të përbashkët që ka pasur Kosova me Serbinë”, theksoi Feith.

Tema mbi të cilën përfaqësuesi i BE-së në Kosovë ligjëroi në gjimnaz ndërlidhej me të ardhmen europiane të Kosovës. Ai tha se rinia është e ardhmja e Kosovës. Me këtë rast, Faith i ftoi fëmijët kosovarë që të kontribuojnë në pajtimin ndëretnik.

“Unë jam i bindur se e njëjta ndjenjë miqësise dhe e pajtimit ekziston në Serbi karshi jush, po ashtu sic ekziston te ju për ta”, u shpreh Feith.

I pyetur nëse komunitetit serb do t’i takojnë vende në Kuvend edhe pas ndryshimeve kushtetuese, Pieter Feith e la këtë në dorë të subjekteve politike të Kosovës.

Kjo ndoshta është hera e fundit që Piter Feith mban ligjeratë para nxënësve në cilësinë e përfaqësuesit të BE-së. Mandati itij në Kosovë përfundon pas dy javësh.

Ai do të vazhdojë punën si përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila ka mandat të mbikëqyrë zbatimin e planit të Marti Ahtisarit.

Top Channel