
Banka e Shqipërisë shpreh shqetësimin lidhur me rreziqet e kursit të këmbimit për sektorin bankar. Një ditë pas publikimit në “Shqip” të analizës mbi riskun e kredive në euro në kohën kur valuta europiane po shitet shtrenjtë, ekspertë të BSH-së japin vlerësimet e tyre lidhur me situatën e krijuar.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se janë dhënë nga bankat private rreth 174.8 miliardë lekë kredi në valutë, kur të ardhurat e kreditorëve janë në lekë. Pjesa dërrmuese (rreth 90 për qind) është dhënë kredi në euro dhe pjesa tjetër në dollarë.
Sakaq, monedha europiane kapërceu dje rekordin, pasi kaloi mbi 143 lekë gjatë mesditës, dhe më pas ra nën 142 lekë, por duke mbetur në rrezen e rrezikut.
Nëse për një këst kredie prej 300 eurosh në muaj individi paguante para dy vjetësh 41 100 lekë, sot ai paguan 42 700 mijë lekë, ose 4 për qind më shumë. Akoma e më keq rezulton situata për individët që kanë marrë kredi 5 vjet më parë dhe kanë edhe 5 vite të tjera për të paguar. Më 20 prill 2006, sipas BSH-së, euro shitej për 122 lekë, që do të thotë se për këstin 300 euro, individi paguan 10 mijë lekë (të reja) më tepër, ose gati 24 për qind më shumë.
Një tjetër lajm i keq vjen për individët që kanë marrë kredi në euro, kurse të ardhurat i kanë lekë. Parashikimet e ekspertëve të Bankës së Shqipërisë flasin për një rritje të normave të interesit. Më të prekurit do të jenë individët e kredive me norma të ndryshueshme (pra, jo fikse), pasi euroribori, norma ku bazohet interesi, pritet të rritet. Sot niveli i euroriborit është rreth 1.2 për qind, kuotë tepër e ulët dhe që logjikisht e ardhmja shikohet me një rritje të normës.
Të dhënat tregojnë se rreth 35 për qind e kredive të akorduara në valutë (në raport me totalin) i takojnë asaj kategorie që të ardhurat i kanë lekë. Sipas monedhave, rreth 89 për qind e kësaj kredie është në euro dhe rreth 11 për qind është në dollarë amerikanë. Kundrejt totalit të tepricës së kredisë në valutë, pjesa e kësaj kredie në euro zë 45.3 për qind dhe ajo në dollarë amerikanë zë 5.5 për qind. “Kjo pjesë e kredisë përfaqëson një kanal të mundshëm të ndikimit negativ mbi sektorin bankar të ndryshimeve të pafavorshme të kursit të këmbimit, që mund të shoqërohen edhe me rritje të tërthortë të rrezikut të kreditit si rezultat i vështirësive të huamarrësve për pagesën e detyrimit të kredisë”, – deklarohet në raportin e publikuar dje nga BSH për “stabilitetin financiar” 2010.
Në fund të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010, raporti “hua me probleme në valutë, ku kredimarrësi është i pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit/teprica e kredisë në valutë, ku kredimarrësi është i pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit”, rezultoi rreth 12.5 për qind kundrejt 11.5 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010. E thënë ndryshe, nga totali i kredive të dhëna në valutë për individët me të ardhura në lekë, rreth 12.5 për qind konsiderohen kredi me probleme, pra nuk po kthehen ose shlyhen brenda afatit. Kjo e dhënë konfirmon krizën e likuiditetit te individët, përfshi edhe biznesin, pasi raporti ka pësuar rritje me 1 pikë përqindje.
Në fund të vitit 2010, aktivet e sektorit bankar në valutë arritën nivelin 525.6 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 9.7 për qind kundrejt gjysmës së parë të vitit dhe me 18.1 për qind kundrejt fundit të vitit 2009. Aktivet e sektorit bankar në valutë zinin rreth 53.1 për qind të totalit të aktiveve, 2.9 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Detyrimet e sektorit bankar në valutë të huaj ishin rreth 51 për qind të totalit të aktiveve, 2.1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Diferenca ndërmjet aktiveve dhe detyrimeve në valutë ka arritur vlerën më të lartë të viteve të fundit me rreth 2.05 pikë përqindje, ndonëse vlerësohet ende në nivele të kufizuara.
Top Channel