Komisioni parlamentar që do të përgatisë ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës nuk do të punojë vetëm për të pasqyruar ligjërisht zgjedhjen e presidentit nga populli.

Ai do të punojë edhe për heqjen e prezencës ndërkombëtare nga Kosova, duke realizuar një pavarësi të plotë dhe jo të mbikëqyrur sikundër është sot.

Ky qëndrim është konfirmuar sot nga kryeministri Hashim Thaci.

“Këto ndryshime, vec reformës zgjedhore, duhet të përcillen me një reformë kushtetuese, me ndryshime që do përshpejtojnë forcimin e shtetit demokratik, perspektivën euroatlantike, shoqërinë multietnike dhe përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës”, ka deklaruar Thaci në mbledhjen e qeverisë.

Ndërkohë, zëvendësi i tij, Hajredin Kuci, në një konferencë për shtyp ka zbutur deklaratën e kryeministrit lidhur me këtë cështje.

Kuci ka sqaruar se pavarësia e mbikëqyrur do të reduktohet gradualisht, me rritjen e kapaciteteve shtetërore të Kosovës.

“Kosovës nuk i vyen që të ketë një prezencë ndërkombëtare permanente, por kjo do të thotë në ngritje të kapaciteteve tona, me afrimin apo përafrimin tonë me NATO-në dhe BE, duhet tëzvogëlohet nevoja jonë për mbikëqyrjen ndërkombëtare. Kjo nuk do të thotë se jemi në luftë me BE-në, por kjo do të thotë se ne po i rrisim kapacitetet tona dhe do të funksionojmë si secili shtet tjetër që është në sferën e BE-së”, ka pohuar Kuci.

Top Channel