Kryeprokurori i prokurorisë publike të qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi paralajmëron ngritjen e aktakuzave për disa nga ish-ministrat kosovarë dhe zyrtarë të tjerë institucionesh.

Në një intervistë për të përditshmen kosovare “Zëri”, Lumezi ka deklaruar se janë rreth 70 cështje korrupsioni në të cilat janë të përfshirë si të dyshuar persona që vijnë nga institucionet publike, shtetërore, si dhe nga ndërmarrjet publike.

Të gjitha këto raste përfshijnë periudhën nga viti 2007 e më tej. Të gjitha këto lëndë janë në duart e prokurores Drita Hajdari.

Sic shpjegon kryeprokurori kosovar, këto 70 ceshtje presin zgjidhje nga prokurorja, mirëpo me një prokuror ai mendon se është vështirë të kryhen të gjitha.

Në këtë kuadër Lumnezi e sheh si zgjidhje caktimin e një prokurori tjetër, i cili duhet të merret ekskluzivisht me cështjet e korrupsionit.

Kosova vazhdimisht është në krye të listës së raporteve ndërkombëtare përsa i përket nivelit të lartë të korrupsionit. Ndërsa nuk mungojnë kritikat edhe për ndërhyrje të politikës në sistemin e gjyqësorit.

Ministri i vetëm për të cilin është deklaruar zyrtarisht se po zhvillohen hetime nga prokuroria e EULEX-it është ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj.

Top Channel