Ndryshime të tjera priten të ndodhin këtë javë në qeverinë e kryeministrit Hashim Thaci, bënë të ditur burime nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pas tërheqjes nga kandidimi për postin e presidentit dhe emërimin e zotit Pacolli  si zv/kryeministër, AKR kërkon edhe dy poste të tjera në kabinet.

Emërimi i Pacollit në postin e zv/kryeministrit të Kosovës, i hap rrugë ndryshimeve të tjera në qeveri. Si kompensim për humbjen e postit të Presidentit, AKR kërkon dy poste ministrore.

“Do të ishim të interesuar më tepër që të mbulojmë sektorët që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, sepse kemi programe të qarta që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë këto do të jenë pjesë e marrëveshjes me PDK-në”, thotë Ibrahim Makolli, Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të AKR-së.

Nga ana e saj, PDK konfirmoi se java e ardhshme do të sjellë ndryshime në kabinetin qeveritar.

Kush janë ministrat që do sakrifikohen për qendrueshmërinë e koalicionit? Burimet qeveritare dhe partiake flasin për Ministrin e Infrastrukturës, Fehmi Mujota, sikurse nuk përjashtohet që postin e tij ta braktisë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petrovic nga Partia Liberale serbe.

Ndërkohë, mësohet se lideri i AKR-së, në cilësinë e zv/kryeministrit të Kosovës, ka nisur një tur diplomatik për njohjen e pavarësisë në Azi dhe Amerikë.

Top Channel