Prokuroria, ekspert për çmimin e truallit

16/04/2011 14:40

Prokuroria do të thërrasë një ekspert për të përcaktuar saktë çmimin e truallit për privatizimin e ish-ekspozitës, pasi komisioni që është marrë me këtë punë konsiderohet i paligjshëm.

Organi i akuzës ka dalë në këtë përfundim pasi ai ka konstatuar se komisioni për vlerësimin e çmimit është ngritur shumë herët dhe se nuk është bërë vlerësimi real i çmimit të truallit të ish-ekspozitës.

Disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe punonjës të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dyshohet se kanë shkelur ligjin me këtë privatizim dhe hetuesit e çështjes deklarojnë se shumë shpejt do të merret një vendim për dërgimin e dosjes në gjykatë me disa persona të pandehur. Akuzat që mund të rëndojnë ndaj tyre janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Ministri më i përfolur në kabinetin “Berisha”, Genc Ruli, është marrë në pyetje pak kohë më parë nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura nga Ministria e Ekonomisë gjatë kohës që e drejtonte, për privatizimin e ish-ekspozitës “Shqipëria sot”.

Në pamundësi të dërgimit të fletëthirrjes për shkak të imunitetit, hetuesit e çështjes e kanë pyetur ministrin aktual të Bujqësisë në zyrë, duke marrë deklaratën për procedurat që ka ndjekur për privatizimin e truallit dhe godinës së ish-ekspozitës.

“Ministri Ruli ka dhënë shpjegime, duke sqaruar në mënyrë teknike procedurat që ka ndjekur ministria, ndërkohë janë duke u marrë në pyetje edhe persona të tjerë që dyshohet se janë të implikuar në aferën e privatizimit”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, duke shtuar se hetimet për këtë dosje janë në fazën e rezultateve paraprake.

Akuza dyshonte gjithashtu se marrëveshja e pronarëve dhe biznesmenëve për ndërtime në truallin e ish-ekspozitës “Shqipëria sot” është kryer para vendimit të Këshillit të Ministrave.

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim dokumentet e Ministrisë së Ekonomisë dhe prej disa kohësh ka nisur verifikimin.

“Po hetojmë nëse kontratat biznesmenë-pronarë janë nënshkruar para apo pasi ka dalë VKM-ja. Dyshohet se ka ndikim nga biznesmenët në Ministrinë e Ekonomisë për kthimin e pronës ish-pronarëve, për ta përdorur më pas në ndërtime shumëkatëshe”, thanë atëherë burimet nga akuza kryeqytetase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA