Mijëra veteranë të luftës kanë protestuar sot në Kroaci kundër dënimit me 24 vjet burg të gjeneralit Ante Gotovina nga gjykata e Hagës.

Gotovina u shpall dje fajtor për krime lufte ndaj popullsisë serbe, të kryera në vitin 1995, gjatë një fushate ushtarake për marrjen nën kontroll të krahinës së Krajinës.

Protestuesit janë mbledhur në sheshin qendror të Zagrebit, si dhe në qytete të tjera dhe kanë akuzuar për tradhti qeverinë kroate, e cila sipas tyre nuk po bën asgjë për të shpëtuar Gotovinën.

Ata janë shprehur se gjenerali nuk është fajtor për operacionin e koduar “Stuhia” dhe e kanë vlerësuar atë si një hero për popullin kroat.

Gotovina u dënua dje bashkë me gjeneralin tjetër Mladen Markac për vrasje, përndjekje dhe dëmtim të pronave private.

Top Channel