Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski shpalli sot zyrtarisht 5 qershorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

“Sot, në bazë të detyrimeve kushtetuese dhe të vendimit për shpërbërjen e Parlamentit, nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 5 qershor 2011”, ka deklaruar Veljanovski.

Ai ka ftuar të gjitha forcat politike që të përmbushin detyrimet e tyre dhe të tregojnë përgjegjshmëri, para, gjatë dhe pas procesit.

“Cdo parti ka shansin që të ndihmojë në krijimin e një atmosfere konstruktive dhe në forcimin e besimit të ndërsjellë”, ka deklaruar Veljanovski.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni do të mbahen pas kërkesave të vazhdueshme të opozitës, në vecanti partisë së Branko Cervenkovskit, LSDM, e cila bojkotoi Parlamentin në shenjë proteste ndaj sulmeve që qeveria po u bënte disa mediave dhe shoqërive të afërta me opozitën.

Top Channel