“Liria e shprehjes nuk garantohet vetëm me miratimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve, por është një vlerë themelore, e cila duhet gjallëruar nga të gjitha shoqëritë dhe pa të cilat, asnjë demokraci nuk mund të funksionojë”.

Këtë shprehje ka përdorur Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle në një takim informal që zhvilloi me gazetarë të përzgjedhur nga Ballkani.

Në komunikatën për shtyp, që sqaron dhe organizimin e një konference të nivelit të lartë ndërkombëtar enkas për problemet e medias në rajon, nuk jepen më shumë detaje rreth bisedave dhe informacionit të shkëmbyer për mëse dy orë, por është përzgjedhur vetëm kjo shprehje e Komisionerit e cila përmendet fund e krye.

Përsëritja në këtë rast shërben për të theksuar nevojën e garantimit të lirisë së medias në vendet e Ballkanit dhe se Komisioni është në dijeni.

Në komunikatën për shtyp theksohet se “liria e shprehjes është një shtyllë themelore për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në shoqëritë demokratike, të cilat gjithashtu duhet të kenë media profesionale të përgjegjshme. BE pret që vendet kandidate e potencialisht kandidate të zbatojnë një parim të tillë kyç demokratik”.

Rëndësia që i kushtojnë këtij parimi ka nxitur organizimin e Konferencës që zhvillohet me 6 maj.

400 pjesëmarrës, mes të cilëve dhe gazetarë të kërcënuar, persekutuar apo të sulmuar për idetë e tyre, do të flasin për shkëmbimin e praktikave më të mira e mbi zgjidhjet ndaj sfidave në shtim të lirisë së medias në rajon.

Konferenca e Komisionit është emërtuar “Fol”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel