“Me ferrin do të kisha mundur të jetoj”. Është ky titulli i një libir të shkruar nga ish-reshterja gjermane Daniela Matijevic, e cila e përshkruan Kosovën si një ferr të vërtetë.

Ish-rreshterja ka shërbyer në radhët e misionit të KFOR-it dhe në librin e saj akuzon ushtarët ndërkombëtarë se kanë ndenjur duarkryq kur, sipas saj, kosovarët dhunonin fëmijët serbë.

Matijevic, me origjinë boshnjake, shkruan në librin e saj se ushtarët e KFOR-it kanë ngrënë mish qeni dhe se kanë qenë mbrojtës vetëm të popullsisë shqiptare dhe jo të asaj serbe.

Nga ana e tij, KFOR ka reaguar duke i cilësuar si trillime dhe të pavërteta pretendimet e ish-rreshteres.

“Pjesët e këtij libri duken të rrezikshme pasi ato që thuhen nuk janë vërtetuar. Ne nuk kemi gjetur gjëra të tilla dhe nuk kemi pasur asnjë raport për to”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës i ka kërkuar ambasadës kosovare në Berlin që të marrë masa për tërheqjen e këtij libri nga tregu.

“Janë pjesë që përshkruajnë situata të paqena. Janë materiale të rreme, prandaj në i kemi kërkuar ambasadës sonë në Berlin tërheqjen e librit nga qarkullimi, pasi është tendencioz dhe nuk i shërben informimit objektiv të gjermanëve”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Vlen të përmendet se ish-rreshterja Matijevic në librin e saj nuk përmend asnjë emër të dëshmitarëve dhe se ajo vuan nga sindromi i stresit post-traumatik.

Top Channel