Brenda pak orësh presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy është takuar me tw gjithë udhëheqjen e lartë greke, në kuadrin e një vizite zyrtare një ditorë në Athinë.

Temë kryesore e bisedimeve të tij me presidentin Papulias dhe kryeministrin Papandreu ishte padyshim kriza greke dhe përpjekjet për përballimin e saj.

Presidenti i Këshillit Europian ka kërkuar që Athina të proçedojë menjëherë me reformat për të luftuar burokracinë, korrupsionin dhe evazionin fiskal.

“Të gjitha këto përpjekje janë në interesin afatgjatë të Greqisë. Janë të pashmangshme dhe do të duhet të ishin kryer prej kohësh”, tha Van Rompuy.

“Përpjekjet tona po japin frytet e duhura”, ka shtuar edhe kryeministri Papandreu në konferencën e përbashkët për shtyp.

Pothuajse një vit pasi Athina ka kërkuar ndihmën e Mekanizmit Mbështetës dhe ka marrë gati gjysmën e shumës prej 110 miliardë euro nga paketa e shpëtimit të FMN-së dhe BE-së, ekonomistë të shquar brenda dhe jashtë vendit shprehen çdo ditë e më shumë se Greqia duhet të ristrukturojë borxhin e saj kolosal.

“Me lejoni të jem i qartë për ristrukturimin e borxhit grek. Jo vetëm që nuk është në rendin e ditës, por është jashtë çdo diskutimi. Krijon sipas meje më shumë probleme sesa zgjidhje”, theksoi Van Rompuy.

Van Rompuy ka ripërsëritur deklaratën e tij në intervistën e gazetës Kathimerini një ditë më parë se rreziku i përhapjes më tej të krizës së borxhit në eurozonë tashmë është zbehur.

Top Channel