
Kryetari i PS-së, Edi Rama ka vijuar prezantimin e planit të tij për zhvillimin e Tiranës duke theksuar diferencat në mentalitet mes tij dhe qeverisjes së kryeministrit Berisha.
Gjatë një takimi në ambjentet e teatrit “Metropol”, përfaqësues të bashkisë kanë prezantuar projektin e tramvajit “Tram Tirana”, i cili do të shtrihet në kryeqytet në 6 linja kryesore: Universiteti Politeknik – Kombinat; Universiteti Politeknik – Kampusi i ri universitar i Tufinës; Universiteti Politeknik – Universiteti Bujqësor i Kamzës; Universiteti Politeknik – Parku i ri i Paskuqanit; Tiranë – Aeroporti i Rinasit dhe Tiranë-Durrës.
“Ka një dallim radikal qysh në zanafillë mes nesh dhe Saliut, ne nisemi nga ëndrrat kur projektojmë dhe pastaj mbështetemi tek vetja, tek çka kemi bërë dhe tek të tjerët, çka të tjerët kanë bërë para nesh, në një botë që sot është gjithmonë e më e hapur. Tendenca e zhvillimit në Tiranë ku ëndrrën e projektojmë hap pas hapi përmes programesh të mirëdetajuara është krejt e kundërt me tendencën e zhvillimit matanë kufirit që ndan Tiranën me territoret ku sundon ‘salillëku’ si frymë dhe si metodë zhvillimi. Me një zhvillim të qëndrueshëm, me një koncept të mirëpërcaktuar urbanistik, ekonomik dhe social. Është një zhvillim që rrit cilësinë e bashkëjetesës komunitare mes qytetarëve të këtij vendi dhe njëkohësisht rrit vlerën materiale të aseteve publike dhe private”, tha Rama.
“Dje sollëm shembullin mes asaj çka ne kemi bërë hap pas hapi në Tiranë, si zhvillim urban dhe asaj që ndodh ditë pas dite si zhvillim në rrethinat e Tiranës, aty ku ndahet kufiri administrativ mes kryeqytetit që ne qeverisim dhe territoreve që sundohen nga mungesa e vizionit, nga babëzia, si një formë barbarie zhvillimi. Kështu ndodh në gjithë territorin e Shqipërisë që qeveriset dhe keqmenaxhohet nga Saliu. Programi ynë i zhvillimit i materializuar në mirëqeverisjen e Tiranës është dita me natën në raport me programin e tyre të zhvillimit që është “një kuturisje”, plot improvizime dhe e yshtur vetëm nga epshet e pushtetit”, theksoi Rama.
“Zhvillimi që ne propozojmë është një zhvillim i integruar, ndërkohë që plani i zhvillimit, nëse mund ta quajmë të tillë sepse nuk ka një plan zhvillimi qeveria shqiptare, është një plan pa plan që nuk përmban asnjë strategji tërësore të zhvillimit, si zhvillim urban i territorit të Shqipërisë, si zhvillim i transportit të integruar në territorin e Shqipërisë, si zhvillim i një sistemi edukimi të lidhur qoftë me zhvillimin urban, zhvillimin e transportit, punëve publike e shërbimeve si edhe me rritjen e cilësisë së mjedisit e cilësisë së dimensionit kulturor. Të gjitha këto bashkëjetojnë e ndërthuren me njëra-tjetrën”, shtoi ai.
Top Channel