Parlamenti i Maqedonisë, zgjodhi Boris Kondarkon për kryetar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Kondrako është propozuar nga partia opozitare LSDM e cila bojkoton Kuvendin.

Kreu i ri i KSHZ-së, u zgjodh pa votat e opozitës, për t’u votuar vetëm nga deputetët e mazhorancës.

“Kjo që ndodhi sot në Parlamentin e Maqedonisë ishte një fotografi tragjikomike. Sot ishim dëshmitarë se si shumica parlamentare vet zgjodhi kreun e KSHZ-së, të propozuar nga vet opozita. Ajo që presim nga kreu i ri i këtij institucioni është që të japë shpjegime se si është e mundur që në listën zgjedhore akoma ka emra të njerëzve të cilët kanë vdekur para 20 viteve”, tha deputeti i PLD-së, Andrej Zhernovski.

Nga ana tjetër, deputetët e  mazhorancës akuzuan opozitën për mungesë të sensit demokratik, pasi nuk gjeti arsye për t’u kthyer në Kuvend as në momentin kur u votua kandidati i saj për kryetar të KSHZ-së.

“Shumica parlamentare edhe njëherë tregoi se ka sens demokratik. Shpresojmë se kryetari i ri do të ketë sens për zhvillimet demokratike në vend dhe do të veprojë si apartiak”, theksoi Vllatko Gjorcev, VMRO-DPMNE.

Me zgjedhjen e kreut të KSHZ-së dhe me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor i hapet rruga shpërndarjes së Kuvendit, gjë që u paralajmërua se do të ndodhë ditën e enjten.

Top Channel