Historia e kirurgjisë plastike

13/04/2011 19:15

Kirurgjia plastike mund të konsiderohet “një bekim” për njerëzit që nuk kanë kontroll mbi defektet e rënda të lindjes.

Edhe pse konsiderohet si një teknologji e re dhe moderne, shumëkush nuk e di se “ajo” ka qenë e zhvilluar gjatë shumë shekujve të jetës njerëzore. Të dhënat shumë të hershme të kirurgjisë plastike flasin për fillimet e saj në shekullin e VIII para Krishtit.

Gjatë kësaj kohe, mjekët e vjetër indianë filluan të zbatonin transplantin e lëkurës për riparimin e njollave të saj tek njeriu. Si kirurg i lashtë indian njihet Susrutha, mjeku i parë i suksesshëm që arriti të rindërtonte hundën.

Por, babai i kirurgjisë moderne plastike njihet Sir Harold Gillies, nga Zelanda e Re. Ai zhvilloi varietetin e teknikave që u shfrytëzuan në këtë fushë. Qëllimi i tij ishte të ndihmonte ata që u shpërfytyruan gjatë Luftës së Parë Botërore. Falë kontributeve të tij, kirurgjia plastike u bë e njohur si trajtim me qëllime estetike dhe funksionale.

Por, në Shqipëri, kirurgjia plastike daton shumë vonë, në vitet `80 njihen pionierët e parë të kësaj fushe.
 
“Në vitet `80 Fiqrete Shalari ishte e para që bëri ndërhyrje dhe për kohën këto ishin ndërhyrje të sofistikuara”, shprehet Besim Boçi, nëndrejtor i QSUT-së.

Por Shalari nuk ishte e vemja që eksploroi dhe aplikoi metodat e “kirurgjisë plastike”. Besim Boçi, mjek i fushës, kujton edhe emra të tjerë, që në shërbimin ORL të asaj periudhe, në Tiranë, kanë punuar për zbukurimin e njerëzve.

“Përveç Fitretes, edhe Adnan Këlliçi apo Pjerin Radovani çuan edhe më tej metodat e doktoreshës. Me kalimin e viteve, këta dy profesorë e perfeksionuan goxha kirurgjinë plastike të hundës”, tregon Boçi.

Nëse në fillim të viteve `80 teknikat ishin më pak të sofistikuara, më vonë specializimi në Perëndim i ndihmoi mjekët tanë që të perfeksionoheshin në këtë fushë. Në prag të viteve ‘90, Fitrete Shalari solli prej Francës metoda të reja për ndërhyrjet plastike të hundës, që do të njiheshin me emrin kirurgji rinoplastike.

Besim Boçi, që në atë periudhë ishte student, tregon se Shalari dhe koleget e saj e kishin të vështirë të tërhiqnin pacientë, jo vetëm për ndërhyrjet estetike në hundë, por edhe për ato të veshëve.
 
“Pjesa më e madhe e operacioneve plastike shkonin shumë mirë, por numri i pacientëve ishte i vogël. Kjo mbase për shkak të regjimit sepse pas vitit 1990 pati një rritje të kërkesave për kirurgji plastike”, shpjegon Boçi.

Kohë pas kohe, duke parë rezultatet në këtë fushë, njerëzit filluan të besonin në mrekullitë e operacioneve plastike. Shumë pacientë u regjistruan në listat e mjekëve të fushës duke mbetur anonim. Mesa duket, dëshira për të përsosur imazhin vazhdoi të mbetej tabu.

Të njëjtën gjë po e vërejmë edhe sot.

Top Channel