Farmacistët kosovarë kanë nisur një grevë 24 orëshe. Greva, sipas kreut të farmacistëve të Kosovës, ka nisur si kundërpërgjigje për gjobitjet e përsëritura ndaj farmacive nga ana e Doganave të Kosovës, edhe pas reagimeve të shumta nga ana e komunitetit farmaceutik.

Ata thonë se u detyruan të marrin vendimin për organizimin e grevës 24 orësh, duke mbyllur të gjitha farmacitë në të tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Farmacistët e fajësojnë për këtë hap Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkaq, në Mitrovicë, qytetarët kanë gjetur alternativën se si të furnizohen me barna.

Ata kanë mësyrë pjesën veriore të qytetit, pasi që në këtë pjesë farmacitë punojnë normalisht.

Ndërsa për ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, greva e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës është një veprim i panevojshëm dhe që nuk i shërben tejkalimit të situatës së rëndë në sektorin farmaceutik të vendit.

Por farmacistët kërcënojnë se pas grevës së përkohshme nëse nuk bëhet diçka për të rregulluar tregun farmaceutik, greva do të organizohet pa afat.

Farmacistët kanë kërkuar që të ndërpriten menjëherë aksionet e Doganave të Kosovës dhe Task Forcës dhe që Ministria të marrë përgjegjësitë që i takojnë për rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës, duke lejuar importin e barnave nga vendet e BE-së, e të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë.

Top Channel