Brenda një muaji nis çertifikimi i gjuhës së huaj

11/04/2011 12:00

Brenda një muaji, studentët shqiptarë do të kenë mundësi të mbrojnë gjuhën e huaj sipas niveleve dhe përshtatshmërisë së degës së tyre.

“Pas 3 deri në 4 javë do të nisin regjistrimet e para për testimet e ofruara nga institucioni me të cilët lidhëm kontratën për certifikimin e gjuhës së huaj. Po bëhet gati një uebsajt, i cili do të ketë të gjithë informacionin e kërkuar, data, mundësitë, testimet, procedurat dhe detajet për të dhënë testimin e për të mbyllur ciklin e studimit për të gjithë studentët e universiteteve”, sqaroi zyrtarisht rektorati i Universitetit të Tiranës, sipas “Shqip”.

Konkretisht do të jetë mesi i muajit maj kur studentët e parë do të regjistrohen dhe do të japin testimin ndërkombëtar.

Fillimisht provimi do të bëhet në Tiranë, por më pas për të gjitha universitetet jashtë kryeqytetit do të shihen mundësitë e ofrimit të testimit pranë universitetit ku studiojnë të interesuarit.

Sipas Universitetit të Tiranës, do të ketë çdo javë data të hapura për studentët që do të kërkojnë të testohen. Nga dita që bëhet aplikimi, studentët do t’i nënshtrohen provimit maksimumi 2 javë pas kërkesës për aplikim.

Në faqen e internetit që ndodhet në ndërtim do të jepen të gjitha detajet, ofertat e testimeve, dhe do të jetë më pas studenti ai që do të zgjedhë se cila nga ofertat do t’i volisë më shumë.

Mësohet se një nga testimet do të jetë me çmim më të favorshëm. Pjesa tjetër e provimeve do të ketë të njëjta çmime ashtu si në çdo filial apo degë kudo ndodhet në botë.

Universiteti i Tiranës ka nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen me partnerët ndërkombëtarë për marrjen e së drejtës së certifikimit të gjuhës angleze për studentët shqiptarë. Javën e kaluar rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka çelur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe, duke mbyllur njëherë e mirë zbatimin e nenit të certifikimit të njohurive të anglishtes për studentët shqiptarë, përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë.

Për më tepër, Kryeministri Berisha gjatë fjalës përshëndetëse ka sqaruar se Shqipëria në këtë mënyrë e ka njohur gjuhën angleze me ligj. Sa i takon prioritetit që po i jepet kësaj gjuhe, shumë shpejt anglishtja do të jetë provim i maturës.

Studentët shqiptarë do të mbrojnë gjuhën angleze duke iu nënshtruar testeve më të njohura ndërkombëtare Toefl dhe Toeic. Këtë do ta ofrojë Universiteti i Tiranës. Rektorati i UT-së ka nënshkruar marrëveshje me një nga organizmat më të njohur amerikanë, Ets Global. Kompani private të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar rreth 20 marrëveshje asistence me institucionet shqiptare.

Top Channel