Presidentja e re e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zgjedhur 3-vjetorin e ngritjes së kushtetutës për të vizituar Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Si komandante e përgjithshme e ushtrisë, ajo është pritur me një ceremoni të lartë dhe më pas ka zhvilluar takime me ministrin e FSK, Agim Ceku dhe gjeneralin Sulejman Selimi.

Në përfundim të takimit Jahjaga i është shmangur përballjes me mediat, duke bërë që ndaj saj të vërshojnë një mori kritikash nga analistët e shtypit.

Kryeredaktorë të ndryshëm e kanë kritikuar Jahjagën me pretekstin nëse ajo do të jetë vetëm një presidente teknike, apo një presidente që do të ushtrojë si duhet detyrën e saj.

“Nëse do të jetë vetëm një presidente teknike, atëherë ajo s’ka nevojë të dalë për opinionin publik. Varet nga ajo të tregojë nëse do të jetë një presidente teknike, apo nëse me aktivitetin e saj do të ndërtojë figurën e një presidenteje konsensuale, sic thotë ajo se është”, ka deklaruar Astrit Gashi, redaktor i gazetës “Zëri”.

Pas takimit është prononcuar vetëm ministri Ceku, i cili është shprehur optimist për bashkëpunimin me presidenten, duke qenë se të dy vijnë nga edukimi ushtarak.

“Ne të dy hymë në politikë nga uniforma dhe jemi edukuar në karrierë me sensin për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve. Jam i bindur se ne do të punojmë ngushtë”, ka deklaruar Ceku.

Mësohet se gjatë takimit Jahjaga i ka ofruar mbështetje Cekut për përmirësimin e gjendjes së FSK-së, në mënyrë që ajo të anëtarësohet fillimisht në njësitë ushtarake rajonale dhe më pas në NATO.

Top Channel