Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, gjatë vizitës së tij në Ohër i ka bërë thirrje qeverisë maqedonase që të realizojë reformat, Marrëveshjen e Ohrit dhe të zgjidhë cështjen e emrit me Greqinë.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Barroso është shprehur se vetëm në këtë mënyrë Maqedonia mund të ecë përpara në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.

“Shpresoj që cështja e emrit të zgjidhet shpejt. Nga ana tjetër, i kam bërë të qartë kryeministrit Gruevski nevojën për progres në dialogun politik, në realizimin e reformave gjyqësore e administrative, si dhe në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që axhenda evropiane të kthehet në vendin e saj”, ka deklaruar Barroso.

Ai e ka vënë theksin edhe tek zgjedhjet e parakohshme, duke kërkuar zhvillimin e tyre në mënyrë transparente dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Ndërsa kryeministri Gruevski, nga ana e tij ka shprehur gatishmërinë që dialogu mes Maqedonisë dhe BE-së të vendoset në nivele më të larta, me dy takime në vit, njëherë në Shkup dhe herën tjetër në Bruksel.

Top Channel