
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, dhe ambasadori i Bashkimit Europian Etore Sekui kanë qenë vizitorët e qendrës “Romani Baxht” në Tiranë, që ka si objekt integrimin e pakicave rome.
Ambasadori amerikan ka kërkuar që të vijojnë hetimet për ngjarjen e shënuar pranë Stacionit të Trenit ku u shpërngulën me dhjetra familje.
“Pavarësisht se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, një punë e madhe mbetet për t’u bërë. Këtë mund ta arrijmë përmes unitet të përpjekjeve tona .Komuniteti rom në Shqipëri ndeshet me trysni. Këtë e pamë disa javë më parë kur një pjese e komunitetit ndeshi trysni dhe iu shkatërruan banesat e tyre. BE dhe Ambasada Amerikane dënoi këtë akt dhe e mirëpres angazhimin e qeverisë shqiptare që do të hetoj këtë incident”, tha ambasadori Arvizu.
Etore Sekui ka përshëndetur këtë takim ku ka kërkuar të respektohen të drejtat e minoriteteve.
“Të bashkuar në diversitet dhe shumëllojshmëri dhe në integrim. Të drejtat e komunitetit rom janë pjesë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.Këto të drejta janë pjesë thelbësore për aktivitetin e delagacionit europian. Ka legjislacion, por ne duhet të sigurohemi që legjislacioni dhe rregullat zbatohen, pasi unë besoj se një e drejtë që vonohet është një e drejte e mohuar. Ne do të jemi përkrah jush që të sigurohemi që këto të drejta të mos mohohen”, tha ambasadori Sekui.
Pas deklaratave fëmijët kanë performuar disa skena kërcimesh, dhe kanë recituar vjersha të ndryshme.
Pranë shkollës së Bregut të Lumit, prej disa javësh qarkullon një bibliotekë lëvizëse, e cila u mundëson fëmijëve romë të zgjedhin librat e tyre të preferuar, por edhe të kenë mundësi të jenë më afër librit.
Top Channel