
Portugalia do të marrë një kredi masive prej rreth 80 miliard eurosh nga Bashkimi Europian, ndërsa negocimi me Lisbonën zyrtare do të zgjasë deri në maj, lajmëroi sot BBC.
Dy ditë më parë, Portugalia bëri të ditur se marrja e një huaje masive për të shpëtuar nga kolapsi ekonomik është bërë e domosdoshme, ndërsa autoritetet janë të vendosur të plotësojnë procedurat e kalimit të kredisë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 5 qershorit.
Në një takim të Ministrave të Financave të BE-së në Hungari, komisioneri Olli Rehn lajmëroi se do të nisin menjëherë procedurat me autoritetet portugeze, ndërsa paralajmëroi që vlera totale e shumës së marrë hua do të jetë prej 80 miliardë eurosh, e njëjtë me kredinë që ka tërhequr më parë Irlanda.
Nëpërmjet parave të huazuara, Lisbona synon të nisë një program agresiv për reduktimin e defiçitit buxhetor, nëpërmjet një fushate të madhe privatizimesh dhe me disa shkurtime të rëndësishme në administratë.
Top Channel