Arvizu: Piramida, të respektohet ligji

08/04/2011 16:35

Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksander Arvizu, përpara intervistës në emisionin “Top Story” ka zhvilluar një vizitë në studiot e Top Channel, pranë ish ekspozitës “Shqipëria sot”. (UPDATE)

Sikundër edhe në vizitën e 3 javëve më parë në selinë qendrore të Top Channel, te godina e Piramidës, ambasadori Arvizu ka parë nga afër ambjentet ku zhvillohen disa nga spektaklet dhe emisionet kryesore, si “E diell”, “Portokalli” dhe “Top Story”, ku ai edhe ishte i ftuar e ku zhvilloi direkt të parën intervistë të tij për një media shqiptare, tashmë një traditë e ambasadorëve amerikanë në dekadën e fundit.

Në një intervistë ku ambasadori bëri edhe një deklaratë të fortë lidhur me piramidën dhe problematikën e Top Channel me qeverinë, duke kërkuar respektimin e ligjit.

“E kam vlerësuar turin që më është ofruar. E di që Top Channel është brenda saj dhe e di që ju keni sjellë këto çështje në vëmendjen time dhe keni bërë të njëjtën gjë edhe më kolegët e mi të tjerë diplomatë. Ju keni disa burime dhe besoj se ju keni një ekip shumë të mirë ligjor që po shikon që të përmbushet interesi ligjor i Top Channel, por unë dëshiroj që ta them këtu dhe duke mos dashur që të kem debat me atë çfarë thash në ‘Zërin e Amerikës’, unë dua të them që ju dhe media këtu në Shqipëri, të gjithë ju, luani një rol shumë të rëndësishëm dhe një funksion shumë të rëndësishëm. Nuk po them se ka demokraci për shkak të kësaj shumëllojshmërie opinionesh, por mendoj se kjo gjë po kontribuon në të thënit hapur të ideve dhe njerëzit duhet të luftojnë që të thonë idetë e tyre. Por është e rëndësishme që ta ruajmë atë vend”, tha Arvizu.

Ambasadori vlerësoi Top Channel dhe audiencën e lartë në diferencë nga të tjerët dhe theksoi gjithashtu rolin e madh që ka media në një shoqëri demokratike për të nxitur fjalën e lirë.

TCH: Prania juaj përkrahë zotit Basha është mbajtje ane politike në një garë shumë të rëndësishme në Tiranë?

Arvizu: “Mendoj se ai ka marrë një vendim shumë të gabuar sot që ka dalë te Blendi Fevziu. I thash Fevziut se do ishte mirë që ta kishit bërë një ditë tjetër dhe unë jam i sigurt se ne kemi një numër shumë më të lartë shikuesish krahasuar me programin tjetër që po zhvillohet në të njëjtën kohë”.

Vizita e ambasadorit amerikan Arvizu, ishte e dyta brenda një muaji në ambjentet e Top Channel. Të parën ai e zhvilloi te Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, vizitë e cila hapi serinë e takimeve të ambasadorëve më të rëndësishëm në Tiranë në zyrat e “Top Medias”, e ku Piramida dhe problematika e saj ka qenë në fokus të shqetësimit të përbashkët.

Top Channel