“Kasetat”, Dervishi përshëndet vendimin e TCH

08/04/2011 20:05

Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka përshëndetur vendimin e TCH për të mos pranuar kasetat filmike të partive politike, në lidhje me aktivitetin e tyre gjatë fushatës për zgjedhjet e 8 majit.

Dervishi ka theksuar se kjo është një praktikë e dëmshme që duhej të ishte ndalur kohë më parë.

Sipas tij, partitë politike janë përpjekur që të marrin nën dorë edhe pushtetin e katërt.

“Është një vendim për t’u përshëndetur. Por më mirë vonë se kurrë. Është një detyrim profesional, është ‘abc’-ja e gazetarisë dhe është koha që partitë politike nuk mundet kurrësesi të bëjnë edhe pushtetin e katërt dhe kjo është një situatë që nuk mund të tolerohej më tej. Fenomeni i kasetave të dhëna është një fenomen i filluar kohë më parë që do t’i shndërronte gazetarët në videoteka”, theksoi Dervishi.

“Nëse një praktikë e tillë do vazhdohej, kjo do ishte e dëmshme. Votuesit votojnë në bazë të informacioneve që marrin. Nëse kjo nuk ndodh nuk do kishim më zgjedhje të mira. Ky është një dëm i madh për mediat shqiptare e cila ka toleruar këtë gjë”, deklaroi ai.

“Ka ndodhur sepse në fillim partive politike u është dhënë gishti, por kanë arritur që kanë marrë krahun dhe trupin. Nëpër televizione është pak më ndryshe se shtypi i shkruar. Televizioni kanë një veçanti sepse duhet të raportojnë në përputhje me kodin zgjedhor dhe me profesionalizëm. I duhet qendruar partive politike dhe u duhet treguar se nuk duhet të bëhen zot në shtëpinë e tjetrit”, shtoi Dervishi.

Top Channel