
Vrasja e një pasticieri ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Vlorës e ka zanafillën në një tjetër ngjarje të rëndë në ditët e para të janarit.
6-vjecarja Artemisa Fetaj humbi jetën në spital pas një toksikimi të fortë nga ushqimet. Nëna e vajzës së mitur tregon se gjithcka nisi kur vajza e saj konsumoi disa cokollata.
Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por sipas nënës nuk u kryhen menjëherë ndërhyrjet për ta shpëtuar.
“Një fjalë të fundit tha ajo, ‘të shoh mamin për të fundit herë’. I thash burrit mbaje ti se unë s’duroj dot. Vdiq në duart e burrit. Është një plagë që nuk mbyllet, si për mua ashtu edhe për Fredin. Ai ndryshoi që prej asaj dite”, tregon Jeta Fetaj.
Alfred Fetaj, babai i vajzës së mitur, në gjendje të rënduar psikologjike ka vrarë duke goditur disa herë me thikë pasticierin 53-vjecar Petrit Mehmetaj, të cilin e akuzonte si shkaktarin kryesor të vdekjes së vajzës së tij.
Edhe mjekët konfirmojnë se vajza vdiq nga helmimi. “Në datë 3 janar ka ndodhur një vdekje tek pediatria, një 6-vjecare u helmua nga një intoksikacion alimentar, si pasojë e marrjes së një cokollate. Ajo në fillim ka qenë mirë dhe pastaj ka rënë në gjendje shoku, për të ndërruar jetë pas disa orësh”, sqaron Besnik Elezi, drejtor i spitalit të Vlorës.
Por ekspertiza mjeko-ligjore që përcaktonte shkakun e saktë të vdekjes nuk është bërë për shkak se prindërit tërhoqën trupin e vajzës për t’i bërë ceremoninë e varrimit.
Për këtë arsye nuk ka nisur asnjë hetim nga prokuroria për shkaqet e vdekjes, hetim që nëse do të ishte realizuar në kohë do të shmangej edhe vetëgjyqësia e dy ditëve.
Top Channel